Zbardhet agjenda e Macron, Presidenti francez mbërrin në Tiranë sot pasdite, nesër takon Ramën dhe Begajn

Për herë të parë në histori një president i Francës viziton Shqipërisë.
Emmanuel Macron do të zbresë në tokën shqiptare pasditen e kësaj të hëne. Kreu i shtetit francez do të pritet me ceremoni shtetërore. Vizita e tij do të zgjasë dy ditë 16 dhe 17 tetor, ndërsa në fokus të bisedimeve do jenë marrëdhëniet mes dy vendeve, si edhe mundësitë e bashkëpunimit në fusha të ndryshme si kultura, arsimi, ekonomia apo energjia.
Kjo vizitë e Macron në vendin tonë shënon një ngjarje historike mes Shqipërisë dhe Francës, duke shënjuar vizitën e parë në marrëdhëniet dypalëshe. Macron ishte parashikuar që të merrte pjesë në Samitin e Procesit të Berlinit, por ai e shtyu me disa orë vizitën për në Tiranë.
Ndërkaq ditën e nesërme do të zhvillojë vizitën zyrtare në Shqipëri, gjatë së cilës do të takohet kokë më kokë me homologun, Bajram Begaj në presidencë.
Dhe më pas do të pritet nga kryeministri Edi Rama në Kryeministri me të cilin do të ketë edhe një konferencë për shtyp pas takimit tet a tet.
Axhenda e vizitës së Macron në Presidencë
Për herë të parë, vendi ynë do të vizitohet zyrtarisht nga një president Francez. Presidenti i Republikës së Francës, Emmanuel Macron, do të zhvillojë një vizitë zyrtare në Shqipëri.Nesër më 17 tetor 2023 Presidenti francez do të takohet me Presidentin e Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj.
Më poshtë agjenda e vizitës në Presidencë:
8:25 -Mbërritja e Presidentit të Republikës Franceze në Institucionin e Presidentit të Republikës.
Presidenti i Republikës franceze do të pritet nga Presidenti i Republikës, Sh.T.Z. Bajram Begaj.
-Interpretohet himni kombëtar francez;
-Interpretohet himni kombëtar shqiptar;
-Kryhet kalimi para truprojës së nderit;
-Dy krerët e shteteve prezantojnë ekipet e tyre respektive.
Presidenti i Republikës së Francës ftohet të nënshkruajë në librin e të ftuarve.
Në hollin ”Nënë Tereza” do të bëhet fotoja zyrtare.
08:35 – 09:05 – Takim kokë më kokë mes dy presidentëve.
Shënim: Aktiviteti do të transmetohet live nga RTVPSH. Frekuencat do t’ua sjell pas pak.
Për median e huaj të akredituar në Shqipëri, lutem të sillni sot emrat dhe të paraqiteni në Presidencë në orën 07.30.
/Shqip.com