Lajme

Afër 80 nxënës fillojnë klasën e parë në shkollën “Emin Duraku” në Prishtinë, prindërit e mirëpresin pezullimin e grevës

Shkollat në Kosovë hapë dyertë për nxënësit nga e hëna e 3 tetorit, për të filluar vitin e ri shkollor, pas më shumë se një muaji grevë.

Pezullimi i grevës deri në janarin e vitit të ardhshëm, është mirëpritur nga prindërit, të cilët dërguan fëmijët në ShFMU “Emin Duraku” në Prishtinë, e cila priti me një ceremoni afër 80 nxënës që këtë vit fillojnë klasën e parë.

Për Shqip.com, prindërit kanë thënë se fëmijëve u ka munguar shkolla.

“E kemi pritë me 1 shtator me fillu po pasi nuk filloj atëherë normal që e kemi prit mirë se fëmijët kanë mbete vetëm në shtëpi, shumë keq, tash keq edhe për mësuesit por më keq është edhe për fëmijë”, ka thënë prindi, Visar Krasniqi.

Ndërsa, Florim Majaci tha se ka qenë e nevojshme fillimi i procesit mësimor.

“Është e arsyeshme që fëmijët kanë fillu shkollën ka qenë e nevojshme dhe ju urojmë fëmijëve një shkollim sa më të mirë”, tha Majaci.

Kurse, Ridvan Demolli i quajti të drejta kërkesat e mësimdhënësve, ndërsa shfaqi shpresën se deri në janarin e 2023-ës, Qeveria do të reflektojë ndaj këtyre kërkesave.

“Po mendoj që kërkesat a arsimtarëve kanë qenë të drejta, por fatmirësisht që filluan dhe tash të shohim që t’i zëvendësojnë orët e humbura. Po besoj që nuk kanë me e mbajtë grevën e njëjtë, besoj që edhe Qeveria ka me reflektuar dhe kanë me u plotësu kërkesat e tyre dhe kanë me fillu mësimin si gjithmonë”, tha Demolli.

Natyra Sheholli vajza e së cilës po fillonte klasën e parë, ka thënë se kanë qenë vazhdimisht kundër grevës.

“Shumë mirë shumë jena gëzuar, ju ka munguar shumë fëmijëve dhe kemi qenë kundër grevës. Kanë humb shumë”, tha Sheholli.

Kurse drejtori i kësaj shkolle, Visar Osmani tha për Shqip.com se do të shohin gjetjen e zgjidhjes për orët e humbura.

“Humbjet janë pak a shumë të dhimbshme, por uroj që me një angazhim të përbashkët, po besoj që kemi me ia dal që fëmijët të mos mbesin mbrapa në kuptimin e cilësisë”, tha Osmani.

Tutje ai tha se për vitin e ri akademik, janë përgatitur stafi i shkollës në aspektin administrativ dhe atë teknik.

“Ne jemi të përgatitur në aspektin administrativ. Objekti është teknikisht gati, stafi është i përgatitur, nxënësit janë të furnizuar me libra, mësimi ka filluar me orar të plotë. Të gjitha përgatitjet në i kemi kryer prej 20 gushtit, por greva solli një situatë jo të këndshme”.

Ministria e Arsimit Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, ka thënë se përgatitjet janë bërë që nga data 1 shtator për të filluar procesi mësimor, por kjo nuk u realizua për shkak të grevës nga ana e Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës.

Tutje nga Ministria e Arsimit ka njoftuar se do të formojë grupin punues për të rishikuar Udhëzimin Administrativ për Kalendarin e vitit shkollor dhe në bazë të tij do të bëhen edhe riplanifikimet në shkolla, ndërsa ka ftuar për bashkëpunim dhe mobilizim të të gjithëve pa dallim, për të plotësuar humbjet e shkaktuara gjatë grevës./Shqip.com