Sport Shqiptar

Ademi me vizitë në vendin ku pretendohet ndërtimi i Shkollës së Fubollit

Agim Ademi

Gjatë ditës së hënë, kryetari i FFK-së, Agim Ademi me bashkëpunëtorët e tij vizituan fshatin Banullë, përkatësisht vendin ku FFK pretendon ta ndërtojë Shkollën e Futbollit.

Ademi ka ftuar Asamblenë Komunale të Lipjanit që ta votojnë projektin e FFK-së, që shkolla pothuajse e rrënuar të rikthehet në një objekt modern dhe në shkollën më të madhe në regjion.

Sipas tij, kjo shkollë do të bëhej një qendër shumë e rëndësishmë për këtë komunë dhe mjaft atraktive për të rinjtë.

Pamje nga shkolla e vjetër në fshatin Banullë të Lipjanit

Ademi pretendon se shkolla do të ishte vend mësimi për 500 nxënës dhe afër 80 punëtorë.

“Projekti ynë parasheh vend për 500 nxënës për ta zhvilluar mësimin në këtë shkollë dhe për t’u akomoduar në konvikt. Kjo shkollë do të bëhej një qendër shumë e rëndësishme për këtë komunë dhe mjaft atraktive për të rinjtë.

“Po ashtu, nga ky projekt do të përfitonin edhe banorët e këtij rrethi, ngase do të punësoheshin deri 80 punëtorë të profileve të ndryshme, pa llogaritur këtu stafin arsimor dhe atë menaxhues”, ka shkruar Ademi.

Agim Ademi gjatë vizitës në Lipjan

I pari i FFK-së bëri me dije edhe mënyrën e financimit të këtij projekti.

“FFK edhe për këtë projekt investimin do ta bëjë nga programi ‘UEFA HatTrick’ dhe nga projektet strategjike për futbollin të FIFA-s.”, ka shkruar ndër tjera ai.

Nderyshe, Ademi e mbylli vizitën e tij në stadiumin në Kishnicë, ku parashihet ndërtimi i Kampit Multietnik. /Shqip.com