Lajme

Abdixhiku: Produktet bazike janë rritur mbi 50%, nuk mund të vazhdohet me këtë gjendje

Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku me rastin e vizitës në njërin prej tregjeve ditore në Prishtinë, ka thënë se kostoja e jetesës për qytetarët është bërë e papërballueshme.

Sipas tij, norma e inflacionit ka arritur mbi 20% dhe se produktet bazike janë ngritur mbi 50% në dy vitet e fundit.

“Me këtë pushtet, mijëra njerëz po përpiqen fort t’i bëjnë ballë rritjes së paprecedentë të çmimeve. Përgjatë dy viteve të shkuara, norma mesatare e inflacionit në Kosovë ka arritur në mbi 20%, përderisa çmimet e produkteve bazike janë rritur për mbi 50%. Kaq shumë ndryshim në kaq pak kohë, nuk ka patur asnjëherë”, ka shkruar Abdixhiku.

Pavarësisht situatës, Qeveria nuk ka ofruar asnjë zgjidhje dhe se propozimet e LDK-së janë refuzuar, jo sepse nuk ishin adekuate, por se ishin të LDK-së, ka thënë mes tjerash ai.

Abdixhiku ka ripërsëritur kërkesën, duke shkruar se duhet të largohet TVSH-ja në produktet bazike dhe të ulet çdo barrë tatimore, në përputhje me inflacionin.

Ai e ka përfunduar reagimin, duke thënë se nuk mund të vazhdohet me këtë gjendje.

/Shqip.com