Abdixhiku: Një ndër kandidaturat më domethënëse tona është kjo e Halimit për Ferizajn

Kandidatura e Sibel Halimit për kryetare të Komunës së Ferizajt – është më e dashura dhe më domethënësja për Lidhjen Demokratike të Kosovës.
Kështu ka bërë të ditur lideri i partisë, Lumir Abdixhiku.
“Një sociologe e dalluar, doktorante në Departamentin e Sociologjisë, aktiviste e të drejtave të njeriut, nënë e përkushtuar, bashkëpunëtore e jashtëzakonshme, Sibel Halimi është një grua që merr përsipër me plot bindje e përkushtim garën tonë në Ferizaj.
Në qytetin e njerëzve punëtorë, e mundësive për zhvillim, në qytetin e jetës e gjallërisë, Sibeli do të ndërtojë një ekipë sa profesionale aq edhe të përkushtuar për të transformuar rrënjësisht qytetin aty”, ka shkruar ai në Facebook.
Sipas të parit të LDK-së, Halimi do të jetë model për shumë vajza të reja që ëndërrojnë një ditë jetën në shërbim të vendit.
“Do të jetë zë i grave, i drejtësisë e barazisë. Përvoja e gjatë e saj në këtë drejtim është garancë e fortë për këtë qëndrim. Ata që kanë patur rastin të punojnë me të – përfshirë dhe mua e kolegët në LDK – ndjehen të përmbushur me një angazhim të saj sa njerëzor e aq edhe përmbajtësor.
Falenderoj degën e LDK-së në Ferizaj për këtë propozim. Do ta mbështes me plot vullnet të njëjtin në Kryesi. Sibel Halimi është pikërisht profili i një veprimtareje të LDK-së me të cilën do ta ndërtojmë dekadën tonë të ardhshme politike”, ka përfunduar Abdixhiku.
Aktualisht kryetar i Komunës së Ferizajt është Agim Aliu nga Partia Demokratike e Kosovës.
Ndërsa, zgjedhjet lokale pritet të mbahen më 17 tetor./SHQIP.com