Lajme

Abdixhiku: LDK përkundër progresit të jashtëzakonshëm duhet të përmirësohet e rritet edhe më tutje, Kosova nuk ka Qeveri

Lidhja Demokratike e Kosovës, Dega në Gjilan, ka mbajtur Konventën Programe, në qytetin e Gjilanit.

Në fjalën e tij, nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri, tha se LDK është gardian i demokracisë dhe i zhvillimit të shtetit.

“Përkundër faktit që në Gjilan jemi në opozitë, në mënyrë të vazhdueshme po ofrojmë këshilla dhe sugjerime, mirëpo ato nuk po dëgjohen nga pushteti i sotëm në Gjilan, pasi ky pushtet e ka fituar një zyre por e ka humbur qytetarin” ka thënë Haziri.

Lutfi Haziri

Ndërsa në fjalën e tij, Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, tha se nga Gjilani po nis cikli i takimeve me njerëzit gjithandej Kosovës, ndërsa shtoi se qytetarët tashmë po njohin qartë energjinë e re dhe ndryshimin e shumëkërkuar në LDK.

“Shumë njerëz të rinj, profesionistë të rinj, burra e gra më të mirë të vendit po i bashkohen lidhjes sonë politike, ndërkaq, përkundër progresit të jashtëzakonshëm në këtë kohë të shkurtë, duhet të përmirësohemi e rritemi edhe më tutje” ka thënë Abdixhiku.

Foto nga tubimi

Kosova nuk ka Qeveri, ngase në vend të gjetjes së zgjidhjeve për çdo problem, nga greva tek energjia, inflacioni, ikja e shëndetësia, dëgjojmë narracione të 14 shkurtit, fajësimeve për 20 vjet, e konspiracione të ndryshme, tha po ashtu Abdixhiku.

Ai, në fund të fjalës së tij, bëri thirrje që të gjithë rugovistët, të gjithë besimtarët e djathtë dhe patriotët e Republikës së Kosovës të bashkëngjiten në rrugëtimin e madh, ku theksoi se Kosova ka nevojë për Lidhjen Demokratike të Kosovës, e ne kemi nevojë për njerëzit më të mirë të vendit./Shqip.com