Lajme

Abdixhiku: Kurti po kërkon tensione, është njeri i vogël i zymtësisë, politikan i paaftësisë

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku ka thënë se kryeministri, Albin Kurti në vend të qetësimit dhe përafrimit të situatës është duke kërkuar tensione.

Ai ka thënë se këtë gjë është duke e bërë me shtresën më të goditur nga kriza – mësimdhënësit e vendit.

“Në vend të qetësimit e përafrimit, Albin Kurti kërkon tension. Ai s’mund të jetojë pa krizë prandaj dhe dënon mësimdhënësit e vendit. Është njeri i zymtësisë, arrogancës e i ndjelljes së frikës. Është politikan i paaftësisë. Si i tillë, është gjithçka përveçse kryeministër. Sot u tregua dhe njeri i vogël.

Në prag të dimrit të vështirë, në vazhdimësi të papërballueshmërisë, në stagnim ekonomik e në ikje masive – ai vendosi t’i tregoj dhëmbët. Dhe për kë? Për mësimdhënësit e vendit – shtresën më të goditur nga kriza”.

Tutje ai ka thënë se LDK do të bëjë çdo përpjekje të mundshme që të ekzekutohen pagat.

“Mashtrimi popullist s’duket ndryshe. Dje ishte shfrytëzues i kauzave të tyre, sot është bërë dënues kolektiv në mes të krizave.

Mësimdhënësit e vendit, ata që u bënë tabelë qitjeje nga ushtritë digjitale të pushtetit, ta kuptojnë se Qeveritë janë të përkohshme por shteti mbetet i përhershëm. Këto paga do tu paguhen – herët apo vonë. S’ka forcë që ju merr të drejtën mbi to; merreni këtë si zotim publik timin dhe të LDK-së.

Deri atëherë, ne do të bëjmë çdo përpjekje të mundshme, të detyrojmë pushtetin mashtrues të ekzekutojë pagesat”.