Lajme

Abdixhiku: Ktheni paratë; shkarkojeni Bordin; mbani përgjegjësi!

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku

Gjykata e Apelit ka vendosur që vendimi i ZRRE-së për rritjen e çmimit të energjisë elektrike ishte i pa bazuar.

Lidhur më këtë ka reaguar edhe kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku.

“Nga sot, fatura tuaja elektrike do të llogariten pa shtrenjtim. Por, nga shkurti e deri më sot, qeveria e paaftë e Kosovës ju ka detyruar të paguani kundërligjshëm rrymën me rritje deri në 100%” ka shkruar Abdixhiku.

Sipas Abdixhikut parat e qytetarëve duhet kthyer.

“Tarifat u detyruan t’i kthejnë. Tani duhet kthyer edhe paratë e plaçkitura kundërligjshëm për disa muaj rresht. Janë para tuaja; u janë marrë pa të drejtë. Dhe jo vetëm kaq’’ ka thënë Abdixhiku.

Ai po ashtu ka kërkuar edhe shkarkimin e bordit të ZRRE-së.

“Bordi i Qeverisë e ZRRE-së, i njëjti që për muaj rresht e në mes të dimrit, ngarkoi familjet kosovare me çmime astronomike në energji – duhet të shkarkohet menjëherë. Ata s’kanë më asnjë kredibilitet” është shprehur Abdixhiku.

I pari i LDK-së ka bërë të ditur se nga e hëna  LDK do të nisë të gjitha procedurat e nevojshme parlamentare në këtë drejtim. Kuvendi i Kosovës ka për detyrim sanksionimin e paligjshmërisë./Shqip.com