Lajme

Abdixhiku: Kryeministri na flet si analist e si opozitar

Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku ka reaguar lidhur me deklaratat e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti.

Sipas Abdixhikut, Kurti po flet si analist e si opozitar dhe nuk po e kupton që është udhëheqës i shtetit.

“Kryeministri na flet si analist e si opozitar. Ende nuk e kupton që është udhëheqës i shtetit. Nëse do shërbime më të mira spitalore – dhe siguri brenda spitaleve tona – të mos presë mbi 100 ditë për të vënë një ministër të shëndetësisë. Të tretin në më pak se dy vite qeveri.Po të donte rend e ligj, nuk do ta linte shtetin pa Kryeprokuror tash e një vit e nuk do t’ia zbriste pagat gjithë sistemit të drejtësisë, për të shkaktuar kaos aty. Një sistem i tërë drejtësie është në greve; mbi 500 lëndë në ditë shtyhen si pasojë e kësaj përplasjeje të panevojshme”, ka shkruar Abdixhiku.

Sipas Abdixhikut, shteti i udhëhequr nga ai, ka rënë në çdo drejtim.

“Nëse do përgjegjësi, le të merret me ministrin e Brendshëm të tij dhe gjithë zinxhirin komandues, të cilin vetë e ka caktuar ai – nga Drejtori i Policisë e poshtë. Një grua shtatzënë kishte urdhër mbrojtje. Shteti i udhëhequr nga ai, ka rënë në çdo drejtim”, ka shkruar Abdixhiku.

Përgjegjësi kërko Kryeministër! Merr masa, vepro, për atë punë je aty është shprehur më tutje ai.

/Shqip.com