Abazi pas takimit me ambasadoren kroate: Bashkëpunimi bilateral, i shkëlqyeshëm

Komisioni për Punë të Jashtme dhe Diasporë, ka pritur në takim me ambasadoren e Kroacisë në Kosovë, Danijela Barišić.
Temë diskutimi ishte marrëdhëniet bilaterale ndërmjet dyja vendeve, ndikimi i situatës në Ukrainë, zhvillimet në rajon si dhe anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Evropës dhe mekanizmat tjerë ndërkombëtar.
Pas këtij takimi, kryetari i këtij komisioni, Haki Abazi, ka thënë se synojnë thellimin e marrëdhënieve ndërmjet dyja shteteve si dhe për bashkëpunimin ekonomik.
“Biseduam për tema të ndryshme kryesisht për bashkëpunimin bilateral mes Kroacisë dhe Kosovës, dhe marrëdhëniet e shkëlqyera që kemi dhe mundësitë dhe potencialet që këto marrëdhënie të avancohen edhe më tutje. Natyrisht qe pas rrethanave pas luftës në Ukrainë janë çështje të sigurisë dhe mbrojtjes së rajonit”, tha ai.

Ai gjithashtu ka njoftuar gjatë komisioniy është prekur edhe çështja e bashkëpunimit ekonomik.
“Në takimin e sotëm gjithashtu prekëm çështje të bashkëpunimit. E shfrytëzuam rastin ta falënderojmë Kroacinë për përkrahjen e vazhdueshme në procesin e lirisë, pavarësisë dhe shtetndërtimit tonë. Tentuam të prekim çështje të bashkëpunimit ekonomik dhe pranisë së biznesit dhe kompanive kroate në Kosovë po ashtu edhe për mundësitë që tregu kroat paraqet për prodhuesit dhe kompanitë kosovare”, tha Abazi