AAK – Glauk Konjufcës: Ruaje fytyrën

Grupi Parlamentar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, i ka reaguar Glauk Konjufcës, duke i thënë se “ta ruajë fytyrën, pasi jetës nuk i dihet”.
Kjo deklaratë e AAK-së, erdhi pasi kryeparlamentari, Glauk Konjufca, ka deklaruar të hënën se “Haradinaj mund të përfundojë në prokurori për shkak të korrupsionit”.
“Sa për informimin e opinionit publik e jo për oborrtarët e Albin Kurtit ( se këta të fundit e dijnë të vërtetën), Ramush Haradinaj kurrë nuk është marrë me shitjen e as stërshitjen e tokave dhe në jetën e tij nuk ka pasur e as nuk ka një akuzë për asgjë, nëse këtu nuk i llogaritni akuzat e luftës speciale të Serbisë kundër tij”, thuhet në reagim.
“E dyta, e dini ju e gjithë të tjerët se ky Shtet e ka një sistem që merret me shpronësimin e tokave, kjo për projekte të interesit nacional dhe ky sistem është krejtësisht i pavarur dhe jashtë kontrollit të çdo kryeministri”.
Ata i sugjeruan Konjufcës që të merret me detyrën të cilën e ka si kryetar i Kuvendit.
“Prandaj ti Glauk Konjufca përgjigju pse vendi ku ti je Kryetar Kuvendi, është shndërruar në vend të vdekjes dhe kjo edhe me fajin tënd e të qeverisë e rrethit tënd”.
Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, ka publikuar “gjetje”, në të cilat shprehën dyshime për “keqpërdorime në shpronësime” prej 43 milionë eurove, gjatë Qeverisë Haradinaj.
Pas kësaj, kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj, e ka quajtur Muratin si “hajn të vogël”. /Shqip.com