AAK e gatshme për zgjedhjet lokale, Lekaj: Prishtinën e fitojmë me Haradinajn

Deputeti nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Pal Lekaj, tha se kanë analizuar dobësitë e tyre gjatë zgjedhjeve të përgjithshme dhe se tashmë janë të gatshëm për zgjedhjet lokale, të cilat pritet të mbahen më 17 tetor, transmeton Shqip.com.
Ai theksoi se janë në terren dhe se “jemi më të përgatitur se asnjëherë më parë që të dalim fitimtarë”.
Më tej, Lekaj tha se janë të parët sa i përket disa prej komunave, duke theksuar se pretendojnë të marrin një pjesë të konsiderueshme të tyre në zgjedhjet lokale.
“Kur them se jemi të parët nëpër komuna, është se ne kemi qenë me shtatë komuna më parë e tash jemi me gjashtë komuna pasi kryetari i Obiliqit është larguar, por ne pretendojmë edhe komuna tjera si Peja, Istogu, Prishtina, Podujeva e që janë shumë kandidatë atraktiv”, deklaroi ai për EO.
Lekaj shtoi se për kryetar të Prishtinës kanë një kandidat profesionist, dhe më të devotshmin, duke shtuar se Prishtina do t’i sjellë fitore kësaj partie.
Kandidat për kryetar të Prishtinës nga AAK-ja është Daut Haradinaj./SHQIP.com