AAK akuzon Durmishin për shpifje: Po gjykon për të larguar vëmendjen nga skandalet e tyre
Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës po e cilëson shpifje nga ana e zëvendësministrit të Infrastrukturës, Hysen Durmishi, dorëzimin në prokurori të kontratës për mirëmbajtjen e urave në rrugët nacionale dhe regjionale, transmeton Shqip.com
Në reagimin e kësaj partie thuhet se Durmishi po gjykon të tjerët për të larguar vëmendjen nga skandalet “që e kanë mbuluar ministrinë e tij”.
“Pas demaskimit të keqpërdorimeve që në ditët e para të mandatit të tij, zv.ministri i Infrastrukturës, Hysen Durmishi ka filluar me shpifje e gënjeshtra kundër të tjerëve. Ai pa pikë turpi provon të gjykojë të tjerët, sigurisht për të larguar vëmendjen nga skandalet që e kanë mbuluar ministrinë e tij”, ka shkruar ai.
Madje, në njoftimin e AAK-së, thuhet se ai bashkë me ministrin Aliu po e udhëheqin këtë dikaster sikur të ishte pronë e tyre private.
“Hysen Durmishi, ministria e tij dhe e Liburnit, të cilën po e udhëheqin si të ishte pronë private e tyre, duke bashkëpunuar me, siç e quanin dikur “babain e tenderëve”, janë shndërruar në grup të organizuar të keqpërdorimit të parasë publike”, thuhet në një reagim të tyre.
“Tanimë është fakt i njohur që ai i ka dhënë tender kompanisë ku dikur punonte, e këto lloj kontratash klienteliste po vazhdojnë. Shpifjet e Durmishit në adresë të ish ministrit Lekaj, vijnë pas përfundimit të 100-ditëshit të dështuar të qeverisë së dështuar, që suksesin e vetëm e ka në instalimin e nepotizmit (mbi 20 të punësuar në poste të larta shtetërore, të afërm të ministrave e deputetëve të partisë-shtet), si dhe ngutinë në shkarkimin e bordeve për t’i zëvendësuar ato me borde partiake, e deri te shkarkimi pa arsyetim ligjor i Kryesueses së KQZ-së, duke dëmtuar kështu edhe integritetin e vet zgjedhjeve demokratike”.
Në kumtesë thuhet se se Hysen Durmishi është duke zbatuar filozofinë e mashtrimit. /Shqip.com