Lajme

A do të marrë pjesë në intervistimin e Haki Abazit, avokati i familjes Dehari?

Tomë Gashi & Astrit Dehari

Tomë Gashi, avokati i familjes Dehari, ka thënë se do të jetë prezent në intervistimin e deputetit të Lëvizjes Vetëvendosje, Haki Abazi  nga Prokuroria Speciale.

Kështu ka deklaruar vetë Gashi në një përgjigje për Shqip.com

“Unë tashmë jamë duke shkuar në Prokurori, mbetet të shihet nëse Prokurori do të lejojë pjesëmarrjen time”, ka thënë Gashi.

Gjatë ditës së sotme deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje do të intervistohet nga Prokuroria Speciale e Kosovës në lidhje me rastin Dehari.

Disa ditë më parë përmes një konference për media, deputeti i Vetëvendosjes Haki Abazi ka thënë se duhet të kërkohen këto video-incizime që të konfirmohet se kush i zhduku mostrat e Astrit Deharit.

“Video-incizimet janë ato që ju duhet t’i kërkoni për të konfirmuar se kush ka zhdukur mostrat e rastit Dehari. Hulumtimi im i fundit, pyetjet e mija që kam shtru, diskutimet që kam bërë me njerëz përgjegjës kanë sjellë tek shkarkimi brenda LVV-së. shkarkimi është minor kundrejt borxhit që kem për ta sqaruar  deri në fund se çfarë ka ndodhur me rastin Dehari. Si është e mundur që në pushtetin e LVV-së të zhduken mostrat e Astrit Deharit dhe Kurti të mos thotë asnjë fjalë të vetme për këtë gjë. Kamerat nuk mund të gënjejnë se çfarë kanë ndodhur”, tha Abazi.

Abazi përmend edhe emrat të cilët duhet të intervistohen nga Prokuroria.

Lexo edhe:
Sot Haki Abazi intervistohet nga Prokuroria Speciale

“Mendoj që prokuroria duhet të marrë në pyetje, Albin Kurtin, Dejona Mihajlin, Albulena Haxhiun, Nazlie Balajn dhe Flutra Gogaj Bajrami. Rasti i Astrit Deharit është shumë i rëndë për tu mbajtur mbi supet e qytetarëve”.

Sipas Abazit, nga kamerat e sigurisë në Institutin e Mjekësisë Ligjore, dihet qartë se kush ka hyrë dhe ka marrë mostrat e Astrit Deharit.

Zëvendësministri i Drejtësisë, Blerim Sallahu, ka thënë se ka gjasa që mostrat e Astrit Deahrit të jenë zhdukur shumë më herët dhe jo me 7 dhjetor të vitit 2022 kur është lajmëruar ministria nga drejtoresha e Institutit të Mjekësisë Ligjore.

Sipas tij, mostrat mund të jenë zhdukur në tetor të vitit 2021, kur janë arkivuar pasi janë bërë analizat nga Instituti zviceran.

/Shqip.com