Lufta në Ukrainë – “beteja e informatave”

Krahas luftës në Ukrainë – shoqëria po përballet me një tjetër betejë – atë për lajmet e rreme.
Madje, kjo po vlerësohet rrezik për krijimin e vet opinionit publik.
Shqip.com, ka kontaktuar me Profesorët nga Universiteti i Prishtinës – Departamenti i Gazetarisë, Remzie Shahini Hoxhaj dhe Dren Gërguri – të cilët kanë treguar ndikimin e lajmeve të rreme te audienca – në këtë luftë.
Shahini-Hoxhaj potencoi se nocioni “betejë e informatave” filloi qysh nga lufta në Kosovë dhe me zhvillimet e fundit në Ukrainë është intesifikuar.

“Lufta në Kosovë konsiderohet si lufta ku filloj të përdoret nocioni ‘betejë e infomatave’. Me invazionin rus në Ukrainë kjo betejë u intensifikua. Putin krijoi narracionin e tij per luftën duke filluar që nga përdorimi i termit ‘operacion special ushtarak’ e deri te nacifikimi i Ukrainës”, tha fillimisht ajo.
Kurse, shtoi “lajmet e rreme po ndikojnë shumë në krijimin e opinionit publik. Prandaj, nëse shihni një informatë të shpërndarë disa herë – nuk do të thotë që ajo është e verifikuar – sepse verifikimi merr kohë – sidomos në kohëra luftërash”.
Ajo përmendi edhe një anë pozitive – nga raportimi i drejtpërdrejtë në këtë luftë.
“Digital Communication Network ka krijuar nje platformë të mbështetur te përdoruesit që njerëzit nga Ukraina t’i ndajnë tregimet e luftës në kohë. Kjo u ndihmon atyre dhe ju jep shpresën për jetën edhe po ashtu ndihmon gazetarinë qytetare”, u shpreh ajo.
Teksa, Dren Gërguri tha se – mundësitë që dezinformatat të ndikojnë te opnioni publik – në këtë kohë lufte janë të mëdha.

Gërguri tha se “qarkullimi i madh i dezinformatave për situatën në Ukrainë ka krijuar mundësi më të madhe që të ndikojnë te një pjesë e opinionit publik”.
Ai po ashtu shtoi se “është e vështirë të themi nëse ato kanë ndikuar në krijimin e opinionit publik për situatën në Ukrainë, por mund të themi që ato janë shpërndarë në faqe të ndryshme të mediave sociale ose edhe në disa portale dhe në një formë a tjetër, kanë mbërritur te qytetarët e Kosovës”.
Ndër lajmet e rreme që kanë qarkulluar kohëve të fundit ka qenë “avioni rus duke u djegur”, e cila ka qenë e shoqëruar me një fotografi – e cila është e vitit 2017.
Një tjetër lajm i pavërtetë ishte “bllokimi i anijeve luftarake ruse në Detin e Zi – nga Turqia” – e cila u demantua më pas nga organet kompetente./Shqip.com