Presidenti i Ukrainës pranon bisedimet me Rusinë në Bjellorusi

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky

Presidenti i Ukrainës Volodymyr Zelenski ka pranuar bisedimet me Rusinë në kufirin Ukrainë-Bjellorusi.

Kështu ka deklaruar Zelensky pas një bisede të realizuar me presidentin bjellorus, Alexander Lukashenko.

“Ne kemi rënë dakord që delegacioni ukrainas të takohet me rusët pa kushte paraprake në kufirin Ukrainë-Bjellorusi, në zonën e lumit Pripyat. Alexander Lukashenko mori përgjegjësinë për faktin se në momentin e nisjes, negociatave dhe kthimit të delegacionit ukrainas, të gjithë avionët, helikopterët dhe raketat e vendosura në territorin Bjellorusi do të qëndrojnë në terren”, ka shkruar presidenti ukrainas në “Facebook”.

Gjatë ditës presidenti i Ukrainës kishte refuzuar ofertën e bisedimeve në Bjellorusi, duke thënë se bisedimet në Minsk do të kishin qenë të mundura nëse Rusia nuk do të kishte sulmuar Ukrainën nga territori bjellorus.

Sot është dita e katërt e agresionit rus kundër Ukrainës.

Për sulmet kundër Ukrainës, Rusia po përdor edhe territorin e Bjellorusisë, një vend aleat i Rusisë.