21 shkurti, Dita Ndërkombëtare e Gjuhës Amtare

21 shkurti shënohet si Dita Ndërkombëtare e gjuhës Amtare.
Kjo u përcaktua në Konferencën e Përgjithshme të UNESCO-s, në nëtor të vitit 1999, për të vlerësuar diversitetin gjuhësor e kulturor.
Gjuha shqipe, konsiderohet si ndër gjuhët më të vjetra të Ballkanit, dhe se është vazhdim i ilirishtes, mirëpo pushtimet e së kaluarës, kanë lënë gjurmë edhe në gjuhën e sotme, si fjalë latine, sllave, serbe e turke.
Gjuha shqipe bën pjesë në familjen e gjuhëve indoevropiane, ku futen gjuhët indoiranike, greqishtja, gjuhët romane, gjuhët sllave, gjuhët gjermane, etj.
Shqipja është një nga gjuhët e lashta të Ballkanit, por e dokumentuar me shkrim mjaft vonë, në shekullin XV, ashtu si rumanishtja.

Dokumenti i parë i shkruar në gjuhën shqipe, është “Formula e pagëzimit”, e vitit 1462, që gjendet në një qarkore të shkruar në latinisht nga Kryepeshkopi i Durrësit Pal Engjëlli, bashkëpunëtor i ngushtë i Skënderbeut.
Pal Engjëlli, gjatë një vizite në Mat, vuri re shrregullime në punë të ushtrimit të fesë dhe me këtë rast, ai la me shkrim disa porosi dhe udhëzime për klerin katolik, ndër të cilat edhe formulën e mësipërme, të cilën mund ta përdornin prindërit për të pagëzuar fëmijtë e tyre, në rastet kur nuk kishin mundësi t’i dërgonin në kishë, ose kur nuk kishte prift. Formula është shkruar me alfabetin latin dhe në dialektin e veriut (gegërisht).
“Formula e pagëzimit” është gjetur në Bibliotekën Laurentiana të Milanos nga historiani i njohur rumun Nikolla Jorga dhe është botuar prej tij në vitin 1915 në “Notes et extraits pour servir l’histoire des croisades au XV siecle IV, 1915”.
Dokumenti i dytë, i shkruar në gjuhën shqipe është Fjalorthi i Arnold von Harfit, i vitit 1496.
Shqipja, që në fillimet e shkrimit të saj, dëshmohet e shkruar në të dy dialektet, në dialektin e veriut (gegërisht) dhe në alfabetin e jugut (toskërisht), si dhe me dy alfabete, me alfabetin latin dhe me alfabetin grek, gjë që tregon se kultura shqiptare ishte njëkohësisht nën ndikimin e kulturës latine dhe të kulturës greko-bizantine.