Lajme

Krasniqi për një vjetorin e Qeverisë Kurti: Nuk ka as vizion, as program, as agjendë, as zhvillim

Memli Krasniqi, kryetar i PDK-së

Kreu i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka thënë se Qeveria e Albin Kurtit pas një viti të fitores nuk ka as vizion, as program, as agjendë, as zhvillim, as integrim, as punësim, por veç propagandë.

Krasniqi ka thënë se në atë kohë Kurti kishe thënë se ekonomia që u trumbetua se do jetë e lirë dhe e drejtë, ka stagnuar dhe s’po arrin të kultivohet as si e drejtë, as si e lirë.

“Me Albin Kurtin që sot qeveris Kosovën, pasi më 14 shkurt, një vit më parë, qytetarët u përcaktuan për një momentum tjetër – duke i dhënë një mbështetje të madhe impulsive Vetëvendosjes, marrëdhënia ndërmjet pushtetit dhe shtetit është shndërruar në marrëdhënie të shtetit në funksion të pushtetit”, ka shkruar Krasniqi.

Ai gjithashtu ka thënë se arsimi që premtohej të ishte konkurrent, vazhdon të jetë konkurrent vetëm si vlerë monetare në tregun e dijes dhe sipas tij politika e jashtme që do të duhej ta shpërthente kinse-izolimin e Kosovës, si me mjeshtri aritmetike ka arritur ta izolojë Kosovën totalisht.

“Asnjë projekt zhvillimor s’ka nisur, ndërsa Qeveria ka pamundësuar nisjen edhe të projekteve zhvillimore të sektorit privat. Çmimet janë rritur dhe kanë vështirësuar jetën e qytetarëve, përderisa pagat janë cunguar e familjet kosovare janë ngarkuar së fundmi edhe me faturën e shtrenjtuar të energjisë elektrike”, ka thënë ai.

Memli Krasniqi dhe Albin Kurti

“Pasqyrë e kësaj periudhe njëvjeçare që nisi me premtime të mëdha, fatkeqësisht është edhe ikja masive nga Kosova e të rinjve, të cilët nuk po gjejnë dot një vend pune, as mbështetje, e as perspektivë nga Qeveria e “shpresës”, përderisa shpresën po e kërkojnë në dyert e ambasadave të huaja”, ka vazhduar Kreu i PDK-së.

Memli Krasniqi gjithashtu ka thënë se për një vit, kemi parë një shumicë politike që shkel mbi çdo parim e premtim, që përfaqëson arrogancë e mungesë të kompetencës, që nuk e do shtetin e punën, që sulmon mediat, mendimin kritik, e që linçon dhe hakmerret ndaj kujtdo që mendon ndryshe.

Me 14 shkurt është bërë një vit që kur Lëvizja Vetëvendosje ka fituar mbi 50% të votave të popullit në zgjedhjet e fundit parlamentare që janë mbajtur në Kosovë./Shqip.com