Lajme

Konjufca: Për të pesëmbëdhjetën herë po e shënojmë përvjetorin e vrasjes, Arben Xheladini dhe Mon Balaj nga policia e UNMIK-ut.

Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca dhe Kryeministri, Albin Kurti

Kreu i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, ka thënë se për të 15 herë janë duke bërë homazhe tek varri i Arben Xheladinit dhe Mon Balajt, dy ish-aktivistëve të Lëvizjes Vetëvendosje.

Konjufca ka shkruar se në ditën e 10 shkurtit na bashkon kujtimi dhe nderimi për këta pishtarë të sakrificës dhe të zgjimit qytetar karshi padrejtësive dhe rrezikimit të aspiratave të popullit tonë.

“Arbenin dhe Monin largësia e kohës i bën gjithnjë e më të mëdhenj, sepse kanë hyrë në kujtesën tonë si mishëruesit dhe përfaqësuesit e vlerave më të larta të lirisë, barazisë dhe demokracisë – si simbole të përsosmërisë së moralit politik, idealit, guximit qytetar, shpirtit vetëmohues dhe vizionit të qartë”, ka shkruar ai.

Kreu i Kuvendit ndër të tjera ka thënë se virtytet e dy ish-aktivistëve duhet të na shërbejnë të gjithëve si frymëzim dhe motivim, vullnet pune e përkushtim në të mirë të Republikës.

Më 10 shkurt 2007, dy aktivistët e Lëvizjes Vetëvendosje Arben Xheladini dhe Mon Balaj mbetën të vdekur pasi u qëlluan me plumba goma nga policët rumunë të misionit të UNMIK-ut derisa po protestonin kundër negociatave të Kosovës me Serbinë dhe Pakos së Ahtisaarit./Shqip.com