Lajme

Austria konfirmon mbështetjen ndaj Kosovës për vizat

Kryetari Glauk Konjufca priti në takim ambasadorin e Austrisë, Christoph Weidinger

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, ka pritur të martën në takim ambasadorin austriak në Kosovë, Christoph Weidinger, i cili i ka konfirmuar mbështetjen e Austrisë për liberalizimin e vizave dhe integrimet euro-atlantike.

Në takim është folur edhe për procesin e dialogut me Serbinë, përderisa kryetari Konjufca ka ripërsëritur qëndrimin se marrëveshja gjithëpërfshirëse duhet të rezultojë me njohje reciproke.

Po ashtu, Konjufca e Weidinger kanë diskutuar për fuqizimin e mëtejmë të partneritetit ndërmjet dy vendeve dhe çështje të tjera me interes të përbashkët.

Kryetari Konjufca e ka falënderuar ambasadorin Weidinger për përkrahjen e vazhdueshme të shtetit austriak ndaj Kosovës.

“Kreu i Kuvendit, ndër të tjera, tha se Austria mbetet partner i rëndësishëm për Kosovën dhe shprehu gatishmërinë për intensifikimin e bashkëpunimit në projekte të përbashkëta siç është projekti DEMOS, si dhe në sferën e legjislativit dhe të diplomacisë parlamentare”, thuhet në njoftimin për media të Kuvendit.

Foto nga takimi

Për procesin e liberalizimit të vizave të martën foli edhe ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, gjatë raportimit në Komisionin për Punë të Jashtme.

Ajo tha se qasja skeptike e Francës për liberalizimin e vizave për kosovarët mund të ndryshojë pas zgjedhjeve në këtë shtet.

“Nuk përjashtoj mundësinë që shumë shpejtë të kemi ndryshim të qasjes së Francës, por një temë e tillë mund të shtrohet më me intensitet më së voni pas zgjedhjeve në Francë”, u shpreh Gërvalla./SHQIP.com