Të akuzuarit për Masakrën e Reçakut, në Serbi promovojnë mohimin e krimit
Më shumë se 20 pjesëtarë të ushtrisë dhe policisë serbe, të cilët akuzohen në mungesë për masakrën e 42 personave, ndodhen në Serbi, tha gjyqtarja në fillim të procesit më 31 korrik. Disa prej tyre janë anëtarë të partisë në pushtet në Serbi dhe mbajtës të dekoratave të larta shtetërore. Të tjerë promovojnë publikisht atë që e quajnë “e vërteta për Reçakun”, gjeti Radio Evropa e Lirë (REL) pas analizimit të të dhënave dhe arkivave të disponueshme. Dhjetë prej tyre e mohuan krimin ndaj civilëve shqiptarë në një film të transmetuar nga transmetuesi publik i Serbisë. Zyrtarisht, ndaj tyre në Serbi nuk zhvillohet asnjë procedurë.
Aktakuza e ngritur nga Kosova e kundërshton drejtpërdrejt qëndrimin e Beogradit, i cili pretendon se masakra në Reçak ishte një “aksion legjitim policor”, gjatë të cilit u vranë pjesëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).
Edhe pse vrasja e civilëve është konfirmuar nga disa organizata ndërkombëtare, përfshirë edhe Gjykatën në Hagë, autoritetet në Serbi vazhdojnë të përsërisin se krimi ishte i inskenuar. Ministritë e Punëve të Brendshme, të Mbrojtjes dhe të Drejtësisë të Serbisë nuk iu përgjigjën pyetjeve të Radios Evropa e Lirë lidhur me të akuzuarit, për të cilët është lëshuar fletëarrestim ndërkombëtar.
Çfarë ndodhi në Reçak?
Sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale të Kosovës, pjesëtarë të ushtrisë dhe policisë serbe më 15 janar 1999, rreth orës 06:00 të mëngjesit, e rrethuan dhe më pas e granatuan fshatin Reçak, në komunën e Shtimes.
Më pas, ata hynë në fshat me autoblinda dhe kontrolluan shtëpi më shtëpi. Disa civilë u torturuan dhe u vranë në oborret e shtëpive, ndërsa të tjerë u dërguan në skajin e fshatit, ku u qëlluan me armë automatike.
Në aktakuzë thuhet se gjatë këtij operacioni të forcave serbe u vranë 42 persona të nacionalitetit shqiptar, të të dyja gjinive dhe të moshave të ndryshme, të cilët nuk kishin marrë pjesë në luftë. Numri më i madh i viktimave u gjet në Kodrën e Bebushit mbi Reçak, ndërsa të tjerët u vranë brenda fshatit.
“Nuk ka arsye të kemi frikë, ne e dimë se kemi luftuar për shtetin tonë”.
Kështu u përgjigj Goran Radosavljeviq Guri, gjatë një paraqitjeje në Radio Televizionin e Serbisë (RTS) në janar të vitit 2024, kur u pyet nëse kishte frikë se mund të përfshihej në aktakuzën e Prokurorisë Speciale të Kosovës.
Radio Evropa e Lirë nuk arriti të kontaktojë me të lidhur me fillimin e gjykimit në Prishtinë, ndërsa në deklaratat e mëhershme ai e kishte cilësuar krimin në Reçak si “një aksion policor të kryer në mënyrë të përkryer, gjatë të cilit u vranë terroristë të armatosur”.
Në kohën e masakrës, sipas aktakuzës, ai ishte ndihmëskomandant i Shtabit të Përgjithshëm për operacionet speciale në Kosovë. Sot ai është anëtar i Partisë Progresive Serbe (SNS), merr pjesë në tubimet e partisë në pushtet dhe është i ftuar në televizione nacionale në Serbi.
Emri i tij përmendet në aktgjykimin e Tribunalit të Hagës kundër ish-shefit të Departamentit të Sigurisë Publike, Vllastimir Gjorgjeviq, ku identifikohet si një nga komandantët e forcave speciale të policisë në operacionin në Reçak. Për lidhjet e tij me këtë dhe krime të tjera në Kosovë ka folur edhe Fondi për të Drejtën Humanitare, organizatë joqeveritare, por ai kurrë nuk është gjykuar.
Mohimi i krimit
Për masakrën në Reçak i pari foli shefi i atëhershëm i misionit vëzhgues të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE), William Walker, i cili e vizitoi fshatin një ditë pas krimit. Sllobodan Millosheviqi, presidenti i atëhershëm i Republikës Federative të Jugosllavisë, urdhëroi që ai të largohej nga vendi, duke pretenduar se masakra nuk kishte ndodhur.
Përfaqësuesit e autoriteteve në Serbi mohuan akuzat për vrasjen e civilëve, duke pretenduar se bëhej fjalë për pjesëtarë të UÇK-së, të cilëve më pas u ishin veshur rroba civile. Edhe sot ata e quajnë atë “krim të fabrikuar” dhe “gënjeshtër të madhe për shkak të së cilës NATO-ja bombardoi Serbinë”.
Masakrimi i civilëve shkaktoi një reagim të fuqishëm ndërkombëtar, që çoi në negociatat mes dy palëve në konferencën e Rambujesë në Francë. Dështimi për të arritur një marrëveshje më pas çoi në bombardimin nga NATO-ja të objektivave ushtarake dhe policore në ish-Jugosllavi, dhe pas fushatës bombarduese lufta u ndal dhe forcat serbe u larguan nga Kosova.
Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara kanë dënuar disa herë mohimin e masakrës në Reçak, duke theksuar se ky krim është “i dokumentuar mirë”. Shtetet e Bashkuara e lidhin atë me vrasjen e vëllezërve Bytyqi pas luftës në Kosovë, më 1999, për çka i është ndaluar hyrja në SHBA.
Kur në vitin 2019, Dhoma e Përfaqësuesve e Kongresit amerikan, përmes një rezolute, i kërkoi Serbisë ta zbardhë këtë krim, ai i tha Radios Evropa e Lirë se “nuk është i shqetësuar” dhe se nuk ka ndërmend të largohet nga partia në pushtet, SNS.
Pavarësisht presioneve ndërkombëtare dhe dyshimeve për përfshirje në krime lufte, të gjitha qeveritë e pasluftës në Serbi e trajtuan atë si një zyrtar policor me pozitë të lartë dhe me ndikim, duke i mundësuar avancim institucional dhe mbrojtje politike.
Pas ndryshimeve demokratike të vitit 2000, atij iu besua detyra për formimin e Xhandarmërisë dhe ishte komandanti i parë i këtij njësiti policor. Ai u largua nga kjo detyrë në vitin 2004 me gradat më të larta dhe me disa dekorata. Gjatë shënimit të Ditës së Xhandarmërisë në Serbi në vitin 2021, atij iu nda një mirënjohje “për bashkëpunim të suksesshëm”.
Radosavljeviqit mirënjohja iu dorëzua nga komandanti i atëhershëm i Xhandarmërisë, Dejan Lukoviq. Novi Sad, 30 qershor 2021. Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Beograd reagoi duke thënë se, në vend të nderimeve, ai duhet të përballet me drejtësinë.
‘Arrita të ik, të tjerët u vranë’
Ramë Shabani, atëherë 33-vjeçar, kujton se si më 15 janar 1999 e zgjoi zhurma e të shtënave.
Shpërthimet, thotë ai, ishin të zakonshme gjatë kohës së luftës, por rreth orës 7 të mëngjesit e gjithë familja e kuptoi se diçka po ndodhte në fshat. Ata u strehuan në bodrumin e shtëpisë së një fqinji. Megjithatë, Shabani rrëfen Radios Evropa e Lirë se shtëpia ishte cak i sulmeve dhe më pas hynë forcat serbe.
“Na e kanë granatuar shtëpinë, na kanë nxjerrë jashtë, na kanë rrahur dhe na kanë marrë krejt çka kishim në xhepa. Pastaj na kanë çuar te vendi i masakrës”, tregon Shabani.
Më pas, thotë ai, i dërguan në kolonë drejt një vendi të quajtur Kodra e Bebushit, në periferi të fshatit.
“Na shanë serbisht… dhe unë kam ikur në një teposhte. Shtatë apo tetë të tjerë që ishin pas meje janë vrarë”, rrëfen Shabani.
Pasi forcat serbe u tërhoqën, Shabani u kthye në vendin e masakrës. Vëllai i tij, Bajrush Shabani, u vra së bashku me 11 kushërinj dhe më shumë se 30 banorë të tjerë të fshatit.
Shabani thotë se drejtësia do të mungojë edhe nëse fajësia e të akuzuarve provohet dhe ata shpallen fajtorë, pasi nuk janë të qasshëm për autoritetet e Kosovës.
“Për mua, është vetëm një lloj njohjeje nga institucionet tona, me atë që ka ndodhur në Reçak dhe se ato duan të bëjnë diçka, por jo më shumë”. Në aktakuzën e Kosovës përfshihen ish-zyrtarë të lartë ushtarakë, policorë dhe të sigurisë të Serbisë.
Mes tyre është edhe ish-ndihmësministri i Punëve të Brendshme, Obrad Stevanoviq, i cili vdiq në Beograd në prill të vitit 2025. Në fjalimin e tij në ceremoninë përkujtimore, ministri aktual i Punëve të Brendshme i Serbisë, Ivica Daçiq, e quajti atë “hero”, i cili “ka lënë gjurmë të pashlyeshme” në histori.
Në ceremoninë përkujtimore, përveç Daçiqit, mori pjesë edhe udhëheqja e policisë serbe. 10 prill 2025.
Pas vdekjes së Stevanoviqit, në Kuvendin e Serbisë u hap një ekspozitë me titull: “Komandanti i Njësiteve Speciale të Policisë, gjenerali Obrad Stevanoviq”. Gjatë luftës në Kroaci, Bosnje e Hercegovinë dhe Kosovë, ai komandoi Njësitin Special të Policisë (PJP) të Departamentit të Sigurisë Publike.
Njësiti i shpërbërë luftarak
Njësiti Special i Policisë (PJP), e themeluar në vitin 1994, gjatë luftës në Kosovë ishte një nga forcat kryesore të Ministrisë së Punëve të Brendshme në terren. Ai vepronte së bashku me njësite të tjera policore dhe ushtarake.
Kundër komandantit të Detashmentit të 37-të të PJP-së, Radosllav Mitroviq, u zhvillua një proces gjyqësor para gjykatës në Beograd, nën akuzat se në mars të vitit 1999 kishte dhënë urdhër për vrasjen e civilëve shqiptarë në Suharekë. Me aktgjykimin e vitit 2009, ai u lirua nga akuzat.
Fondi për të Drejtën Humanitare, po atë vit, paraqiti një kallëzim penal të veçantë kundër Mitroviqit dhe edhe 15 pjesëtarëve të Detashmentit të 37-të të PJP-së për krime lufte në disa lokacione në Kosovë. Fondi theksoi se përgjegjësia nuk ishte e kufizuar vetëm tek autorët e drejtpërdrejtë, por se duhej të hetohej edhe zinxhiri komandues.
Ky njësit u shpërbë në vitin 2001, kur u themelua Xhandarmëria serbe. Stevanoviq ishte një nga tre nënshkruesit e Marrëveshjes së Kumanovës, me të cilën në vitin 1999 u arrit marrëveshja për ndërprerjen e luftës në Kosovë dhe tërheqjen e forcave serbe.
Si dëshmitar i mbrojtjes në gjykimin e Millosheviqit në Hagë, ai e përshkroi masakrën në Reçak si një përplasje mes policisë serbe dhe UÇK-së. Prokuroria i kundërshtoi pretendimet e tij, duke iu referuar provave mjekoligjore, fotografive të viktimave dhe materialeve të tjera.
Edhe pse edhe vetë ishte nën hetim nga Prokuroria e Tribunalit të Hagës, ndaj tij nuk u ngrit aktakuzë. Pas pensionimit, ai ligjëroi në Universitetin Kriminalistik-Policor shtetëror dhe shkroi libra. Ai u nderua me disa dekoratave për rezultatet e arritura gjatë punës në Ministrinë e Punëve të Brendshme.
I vetmi i akuzuar që ndodhet në burg
Ish-shefi i Departamentit të Sigurimit të Shtetit, Radomir Markoviq, është i vetmi nga të akuzuarit në aktakuzën e Kosovës që ndodhet në burg në Serbi, por jo për krime ndaj civilëve shqiptarë. Ai është duke vuajtur një dënim shumëvjeçar për vrasje me motive politike në Serbi, gjatë regjimit të Millosheviqit.
Radomir Markoviq, nëntor 2000.
Ai u arrestua pas rrëzimit të Millosheviqit, në vitin 2001, dhe u dënua me 40 vjet burg për vrasjen e katër anëtarëve të Lëvizjes Serbe për Ripërtëritje në autostradën e Ibrit në vitin 1999, si dhe për vrasjen e ish-presidentit të Presidencës së Serbisë, Ivan Stambolliq, në vitin 2000.
Ai ishte dënuar edhe për vrasjen e gazetarit Sllavko Quruvija, por Gjykata e Apelit e rrëzoi aktgjykimin. Markoviqi pasoi Jovica Stanishiqin në krye të Departamentit të Sigurimit të Shtetit dhe e drejtoi atë gjatë periudhës së luftës në Kosovë dhe ndërhyrjes së NATO-s.
Në Hagë, në vitin 2002, ai ishte dëshmitar në gjykimin e Millosheviqit, ndërsa Prokuroria e përdori dëshminë e tij për të treguar mënyrën se si funksiononte aparati i sigurisë i Serbisë në Kosovë.
Promovime shtetërore
Në aktakuzën e Kosovës është edhe Kërsman Jelliq, i cili gjatë luftës në Kosovë komandonte Brigadën e 243-të të Mekanizuar të Korpusit të Prishtinës të Ushtrisë së Jugosllavisë.
Ai ishte drejtpërdrejt nën komandën e komandantit të atëhershëm të Korpusit, Vlladimir Llazareviq, i cili në Hagë u dënua me 14 vjet burg për krime ndaj civilëve shqiptarë.
Jelliqi, si dëshmitar i mbrojtjes në gjykimet ndaj Llazareviqit dhe Millosheviqit, pretendoi se ushtria nuk kishte marrë pjesë në “aksionin policor” në Reçak. Ai kurrë nuk ka qenë objekt hetimi, ndërsa për Reçakun, që e cilësoi si një masakër “të falsifikuar” ndaj civilëve, foli në vitin 2022 në një film dokumentar të Radio Televizionit të Serbisë (RTS).
Tri vjet më herët, ai mori pjesë në një tribunë të organizuar nga Qendra Mediale e Ministrisë së Mbrojtjes së Serbisë, ku, mes tjerash, u promovuan librat e Nebojsha Pavkoviqit, i dënuar nga Tribunali i Hagës.
Jelii në promovimin e edicionit “Luftëtari” të Qendrës Mediatike të Ministrisë së Mbrojtjes, më 21 qershor 2019.
Të pranishmëve iu drejtua edhe komandanti i kohës së luftës i Armatës së Tretë, përmes një video-mesazhi nga burgu në Finlandë, ku deri në vdekjen e tij në vitin 2025 vuajti dënimin prej 22 vjetësh për krime lufte ndaj shqiptarëve të Kosovës.
Dekoratë kishtare për gjyqtaren e Reçakut
Kreu i Kishës Ortodokse Serbe, Porfirije, në fund të qershorit ia ndau Urdhrin e Shën Savës të shkallës së dytë gjyqtares Danica Marinkoviq, si shenjë mirënjohjeje, ndër të tjera, për “mbrojtjen me këmbëngulje të së vërtetës” lidhur me ngjarjet në Reçak.
Marinkoviqi, në vitin 1999, si gjyqtare e Gjykatës së Qarkut në Prishtinë, udhëhoqi hetimin për Reçakun. Ajo ishte dëshmitare e mbrojtjes në gjykimin ndaj Millosheviqit dhe udhëheqësve të tjerë politikë, ushtarakë dhe policorë.
Ajo pretendon se në Reçak u vranë “terroristë”, se fshati nuk u granatua dhe se me dëshminë e saj kontribuoi që gjyqtarët në Hagë të hiqnin dorë nga paraqitja e provave për vrasjen e civilëve. Sllobodan Millosheviqi vdiq në paraburgim para se t’i shqiptohej aktgjykimi.
Edhe pse askush nuk është dënuar për këtë krim konkret, Tribunali i Hagës, në proceset kundër udhëheqësve serbë, arriti në përfundimin se në Reçak u vranë të paktën 45 shqiptarë, se 20 deri në 24 trupa kishin plagë nga të shtënat nga afër në kokë dhe se në mesin e të vrarëve ishin një grua dhe një fëmijë.
Para nga buxheti për “të vërtetat” mbi krimet
Libra ka shkruar dhe i ka promovuar edhe ish-shefi i policisë në Ferizaj dhe një nga zyrtarët përgjegjës për zonën e Reçakut, Bogolub Janiqeviq. Tezën se opinioni ndërkombëtar i ka paraqitur ngjarjet “gabimisht ose qëllimisht”, ai e paraqet edhe në tubimet e shoqatës “Zemra e Heronjve”, ku është anëtar, si dhe në librin e tij “Reçaku e vërteta e plotë”.
Kjo shoqatë, sipas raportit të saj publik financiar, financohet në pjesën më të madhe nga buxheti i Serbisë. Që nga fillimi i vitit 2025, Ministria për Punë, Çështje të Veteranëve dhe Sociale e Serbisë u ka ndarë atyre 10 mijë euro për programet “Kujtimi për heronjtë” dhe “Krimi që vazhdon”. Kjo ministri nuk iu përgjigj pyetjeve të Radios Evropa e Lirë lidhur me paratë e dhëna si donacion.
Si dëshmitar i mbrojtjes në gjyqin ndaj Millosheviçit në Hagë, në vitin 2005, ai pretendoi se në Reçak kishin vdekur pjesëtarë të UÇK-së gjatë një përleshjeje me policinë. Në tribunën me titull “E vërteta për Reçakun” ka marrë pjesë edhe ish-pjesëtari i Grupit Operativ Policor të Prishtinës, Millan Joshanoviq.
Në nëntor të vitit 2023, në sallën e Universitetit të Nishit, përkrah tij, Goran Radosavlleviqit dhe Vlladimir Llazareviqit, ishin edhe përfaqësues të pushtetit lokal. Joshanoviqi është anëtar i Shoqatës së Pensionistëve të Drejtorisë Policore të Nishit.
Në shkurt të vitit 2024, ai mori pjesë në ekspozimin e armatimit dhe pajisjeve ushtarake, i cili u organizua në atë qytet në prani të udhëheqjes shtetërore dhe ushtarake. Joshanoviqi me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në ekspozimin e armatimit, ngjarje e organizuar me rastin e Ditës së Shtetësisë së Serbisë. Nish, 14 shkurt 2024.
Në filmin dokumentar-artistik të RTS-së për Reçakun, i realizuar në kuadër të serisë “Dosja Kosovë” në vitin 2022, folën gjithsej dhjetë të dyshuar që janë të përfshirë në aktakuzën e ngritur në Kosovë. Mes tyre ishte edhe Millan Lleçiq, i cili gjatë luftës në Kosovë ishte në krye të Kompanisë së Gjashtë të PJP-së.
Vrasjen e civilëve në film e mohon edhe ish-pjesëtari i Grupit Operativ Policor të Prishtinës, Goran Petkoviq, i cili, sipas të dhënave të publikuara në rrjetet sociale, sot është pjesëtar i Xhandarmërisë serbe dhe jeton në Nish. Në qershor të vitit 2024, ai u fotografua me ministrin e Punëve të Brendshme, Ivica Daçiq, në shënimin e Ditës së Policisë.
Petkoviçi pranë ministrit të Brendshëm serb, Ivica Daçiq, në shënimin e Ditës së Policisë më 23 qershor 2024. I ftuar në televizion ishte edhe ish-komandanti i Njësisë Speciale Antiterroriste (SAJ) të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë, Zhivko Trajkoviq.
“Çdo pjesëtar i policisë dhe Ushtrisë së Serbisë në atë kohë, i cili shkoi për të kryer detyrën gjatë asaj periudhe, për mua është një hero i madh”, tha ai në vitin 2023 në një emision të RTS-së kushtuar 45-vjetorit të themelimit të SAJ-it.
Hetuesit e Hagës zhvilluan me të dy intervista në fillim të vitit 2004, në cilësinë e të dyshuarit, por ndaj tij nuk u ngrit aktakuzë. Trajkoviq ishte dëshmitar në gjyqin ndaj Vllastimir Gjorgjeviqit në Hagë, i cili u dënua me 27 vjet burgim për krime në Kosovë, në vitin 2009.
Falje për të dënuarit
Në aktakuzën e Kosovës është edhe polici nga Ferizaj, Zoran Stanojeviq, të cilin në vitin 2001 një trup ndërkombëtar gjyqësor i Gjykatës së Prishtinës e dënoi me 15 vjet burg për vrasjen e një civili dhe plagosjen e dy të tjerëve në Reçak.
Deri në vitin 2002, ai e vuajti dënimin në Prishtinë, ndërsa më pas, në kuadër të një shkëmbimi të të burgosurve, u transferua në burgun e Prokuples në Serbi. Presidenti i atëhershëm serb nga radhët e demokratëve, Boris Tadiq, e fali atë në vitin 2009, kur edhe u lirua nga burgu. Deri sot ai mohon se ka qenë në Reçak.
Në listën e të akuzuarve është edhe polici nga komuna e Shtimes, Çedomir Aksiq, ndaj të cilit në vitin 2024 në Kosovë u dha aktgjykimi i parë pas një gjykimi në mungesë. Ai u dënua me 15 vjet burg për krime kundër popullsisë civile në fshatrat Reçak, Mulapolc dhe Petrovë.
Pa bashkëpunim të institucioneve
Prokuroria Speciale e Kosovës ka deklaruar se ka përmbushur të gjitha kushtet ligjore për fillimin e gjykimit në mungesë ndaj pjesëtarëve të ushtrisë dhe policisë serbe.
Gjatë vitit 2021, të gjithëve u është dërguar ftesë përmes ndihmës juridike ndërkombëtare, tha prokurori Ilir Morina në fillim të gjykimit, duke shtuar se nuk kanë marrë asnjë përgjigje. Ministria e Drejtësisë e Serbisë nuk iu përgjigj pyetjes së Radios Evropa e Lirë lidhur me detyrimin nga Marrëveshja e Brukselit, e cila parasheh që me Prishtinën të shkëmbejnë kërkesa gjyqësore përmes përfaqësuesve të Bashkimit Evropian.
Meqë përgjigjja nga Beogradi nuk erdhi, gjykata në Prishtinë në vitin 2022 lëshoi fletarrestim, por sipas prokurorit, askush nuk u gjet në adresën ku kishte jetuar në Kosovë para luftës, as në ndonjë adresë tjetër në atë shtet. Më pas u lëshua edhe një fletarrestim ndërkombëtar. Në fillim të qershorit, në rrjetet sociale u shfaqën akuza se Serbia ua kishte dorëzuar autoriteteve të Kosovës të dhënat personale të qytetarëve të saj, të cilëve “u kanë ardhur në adresat e shtëpive të tyre ftesa nga Prishtina”.
Ministria e Drejtësisë u përgjigj përmes një komunikate duke thënë se nuk ka të bëjë me këtë dhe se qytetarët e Serbisë nuk kanë obligim t’u përgjigjen ftesave për, siç i kanë cilësuar ata, “procese të montuara politike”. Gjykimi në Prishtinë nuk është i vetmi proces lidhur me masakrën në Reçak që po zhvillohet nga drejtësia e Kosovës. Pesë persona të nacionalitetit serb u arrestuan më 12 qershor në Kosovë, në kuadër të hetimeve për krime lufte në rastin e njohur si “Reçaku II”. Ata dyshohen se kanë qenë pjesë e njësive speciale të policisë që morën pjesë në operacionin në Reçak./REL
©Shqip.com