Haziri e konsideron presion ndaj qytetarëve prezencën e ministrave në Gjilan ditën e zgjedhjeve
Nënkryetari i Lidhjes Demokratike, Lutfi Haziri, që po garon edhe për një mandat tjetër për Komunën e Gjilanit, ka mbajtur një konferencë për media nga shtabi zgjedhor i kësaj partie.
Haziri po i vlerëson Zgjedhjet Lokale si gjithçka në rregull, por prezenca e kabinetit të Albin Kurtit në këtë komunë po e pengon.
Haziri ka thënë se përveç disa problemeve teknike që janë evidentuar, prezenca e shtuar e disa ministrave dhe zëvendësministrave të Qeverisë Kurti bë Gjilan janë parë si presion ndaj qytetarëve.
“Disa probleme teknike dhe prezencën e numrit të madh të ministrave dhe zëvendësministrave është presion i drejtpërdrejt tek qytetarët, gjithçka tjetër ka qenë manifestim solemn”, ka thënë Haziri në konferencën për media.
Ai po ashtu ka folur edhe për përqindjen e daljes se qytetarëve në zgjedhje, duke iu kërkuar që edhe pak orë që kanë mbetur ta kryejnë obligimin qytetar.
“Deri në ora 16:00 kanë votuar 32 mijë qytetarë dhe apelimi është që shfrytëzoni të drejtën e votës në këto tri orët e fundit sepse ju vendosi për katër vitet e ardhshme për qytetin tuaj”.
“Dalja është zotim dhe përkushtim dhe vota juaj me pjesëmarrje drejtpërdrejt ndikon në shkallën e demokracisë dhe mirëqenies”, ka thënë Haziri.
Haziri është në garë me kandidatin e Lëvizjes Vetëvendosje, Alban Hysenin dhe garon për mandatin e katërt për ta drejtuar Gjilanin.