Dita e tretë e aksionit në Theth, banorët bllokojnë urën hyrëse për në fshat

Banorët e zonës së Thethit janë përplasur verbalisht me efektivë të policisë së shtetit në tentativën e këtyre të fundit për t’u futur në zonë.
Ata kanë bllokuar rrugën hyrëse të Thethit duke protestuar kundër aksionit të lirimit të hapësirave publike, prej të cilit janë prekur edhe disa prona në zonë.
Ata janë shprehur të revoltuar duke thënë se këto prona përfaqësojnë mundin dhe punën e gjatë të tyre dhe se pa to nuk mund të sigurojnë dot jetesën.
“Nuk kemi bërë asnjë krim, vetëm kemi ndërtuar në shtëpitë e të parëve tanë për të ofruar një shërbim. Kjo që po bën shteti shqiptar është një masakër ndaj nesh. Ne po kërkojmë gjënë më minimale dhe po na mohohet. Nuk kemi çfarë të bëjmë tjetër”, u shpreh një prej protestuesve.
Nga ana tjetër policia ka paralajmëruar se ndaj tyre do të ketë penalizime për bllokimin e rrugës për automjetet, por ka hasur në rezistencën e banorëve gjithsesi.
/Shqip.com