Sërish pa zgjidhje/ Dështon për herë të 43-të konstituimi i Kuvendit të Kosovës

Më 7 korrik u regjistrua përpjekja e 43-të e pasuksesshme e deputetëve të zgjedhur për të konstituuar Kuvendin e Kosovës.
Sikurse edhe në herët e kaluara, partitë opozitare – përfshirë PDK-në, LDK-në, AAK-në, Nismën dhe Listën Serbe – refuzuan të propozojnë anëtarë për komisionin që do të organizonte votimin e fshehtë për kryeparlamentarin, duke e konsideruar këtë proces si të papajtueshëm me Kushtetutën.
Në votim të hapur, ata e kundërshtuan disa herë radhazi emërimin e Albulena Haxhiut nga Lëvizja Vetëvendosje në këtë pozitë.
Vetëvendosje, e cila fitoi shumicën e votave në zgjedhjet parlamentare të shkurtit, këmbëngul se votimi i fshehtë është legjitim dhe kërkon të ecet përpara.
Deputetët e PDK-së, LDK-së dhe AAK-së dolën në foltore për t’i bërë thirrje Vetëvendosjes që t’i japë fund, siç e quajtën ata, “cirkut politik” – gjë që shtyu kryesuesin e seancës të kërkojë ndërprerjen e fjalës së tyre./ REL
/Shqip.com