Lajme

“Të gjithë drejtorët jashtë”/ Takimi me tone të ashpra në Bashkinë e Vlorës, zbardhet mesazhi i Ramës gjatë mbledhjes me dyer të mbyllura

Kryeministri Edi Rama ka zhvilluar mëngjesin e së enjtes një takim urgjent në ambientet e Bashkisë së Vlorës.

Në këtë mbledhje me dyer të mbyllura, të pranishëm kanë qenë kryetari i Bashkisë, Ermal Dredha, drejtues të drejtorive vendore, deputetët aktualë dhe ata të zgjedhur nga zgjedhjet e 11 majit.

Takimi ka zgjatur rreth 90 minuta dhe është karakterizuar nga tone të ashpra dhe kërkesa të drejtpërdrejta nga ana e Kryeministrit. Sipas burimeve nga mbledhja, Rama ka kërkuar shkarkimin e menjëhershëm të të gjithë drejtorëve të Bashkisë së Vlorës.

“Që nga ky moment, të gjithë jeni të shkarkuar. Kryetari i Bashkisë duhet të firmosë menjëherë shkarkimet”, mësohet të ketë deklaruar Rama.

Gjithashtu, ai ka theksuar se të gjithë drejtuesit vendorë duhet të jenë në gatishmëri të plotë për të zgjidhur problemet e qytetarëve dhe për të adresuar me urgjencë çështjet që shqetësojnë qytetin.

Ky reagim i fortë i Kryeministrit vjen në një kohë kur Vlora përballet me një sërë problematikash të pazgjidhura nga strukturat përkatëse, ndërsa pakënaqësitë qytetare për mënyrën e funksionimit të administratës vendore janë shtuar ndjeshëm.

Ende nuk dihet se kush do të jenë zëvendësuesit e drejtorëve aktualë, por në ditët në vijim priten zhvillime dhe emërime të reja në administratën e qytetit.

Pas mbledhjes, Rama është parë duke ecur në këmbë në lagjen “Muradie”, i shoqëruar nga Arbjan Mazniku, Pirro Vengu dhe Sinan Idrizi. Ata janë ndalur për rreth 30 minuta në një lokal për kafe, përpara se Kryeministri të largohej nga qyteti.

Ndërkohë, kandidati për deputet i cili nuk hyri në listat fituese, Klevis Kaso, u emërua kryetar i PS në Vlorë. Deputetja Eriona Ismaili tashmë do të jetë bashkëkryetare e kësaj force politike. Emërimet janë komunikuar sot gjatë vizitës në Vlorë nga kryetari i PSSH Edi Rama.

/Shqip.com