Lajme

Përpjekje për t’i dhënë fund ngërçit politik, Osmani nis takimet me liderët e partive politike në Kosovë

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, takon sot ndaras përfaqësuesit e partive politike, në përpjekje për të zgjidhur krizën institucionale në vend. Përkundër plot 40 përpjekjeve, deputetët e zgjedhur të Kuvendit të Kosovës nuk kanë arritur ende ta konstituojnë institucionin ligjvënës. Zgjedhjet parlamentare janë mbajtur më 9 shkurt.

Me një vendim të lëshuar javën e kaluar, Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka urdhëruar konstituimin e Kuvendit brenda 30 ditësh. Që nga aktgjykimi janë mbajtur edhe dy seanca në Kuvend, por pa rezultat. Përfaqësuesit e partive politike fajësojnë njëri-tjetrin për mungesë përgjegjësie.

Lëvizja Vetëvendosje, e cila ka fituar më së shumti vota në zgjedhjet e 9 shkurtit, këmbëngul në emrin e Albulena Haxhiut për kryeparlamentare. Por Haxhiu, për disa herë me radhë, nuk ka arritur t’i sigurojë 61 votat e domosdoshme për këtë pozitë. Vetëvendosje insiston në votim të feshehtë, por partitë e tjera janë kundër, ndaj edhe refuzojnë kërkesën e kryesuesit të seancës konstituive, Avni Dehari, për të propozuar përfaqësues për komisionin që do të mbikëqyrte votimin e fshehtë.

Këshilltari i presidentes Osmani, Bekim Kupina, tha më 30 qershor se ajo pret që partitë e përfaqësuara në Kuvend të zbatojnë aktgjykimin e Kushtetueses dhe të përfundojnë seancën konstituive brenda afatit prej 30 ditësh. “Nëse paraqitet nevoja, presidentja mbetet e gatshme t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese për sqarime shtesë”, tha Kupina.

Ekspertët e çështjeve ligjore-kushtetuese thonë se aktgjykimi i Kushtetueses duket se nuk solli zgjidhje për krizën institucionale në Kosovë, ndaj, sipas tyre, zgjidhja mund të vijë vetëm përmes një marrëveshjeje politike, ose me ndërhyrjen e presidentes./Rel/

/Shqip.com