Samir Mane po shet bizneset në Shqipëri, Spar-in dhe Fashion Group i blejnë sipërmarrës nga Kosova

Samir Mane dhe grupi i tij Balfin vijojnë të shesin asetet e rëndësishme në tregun shqiptar. Pas shitjes së rrjetit SPAR për 44 milionë euro te Viva Fresh nga Kosova, tashmë është radhën edhe Fashion Group Albania, një tjetër emër i madh që i kalon një kompanie kosovare.
Lajmi u konfirmua nga Autoriteti i Konkurrencës, ku është depozituar zyrtarisht njoftimi për përfitimin e kontrollit të shoqërisë Fashion Group Albania SHPK nga ALBI HOLDING SHPK, pjesë e Albi Group – një nga grupet më të fuqishme të biznesit në Kosovë, i zotëruar nga familja Humolli.
Fashion Group Albania, që mban ekskluzivitetin për markat si Mango, Aldo, Geox, Prenatal, Parfois, Springfield dhe të tjera, realizoi gjatë vitit të fundit një qarkullim prej 11 milionë eurosh dhe një fitim neto prej 1 milion euro.
Megjithëse çmimi i blerjes nuk është bërë publik, lëvizja shihet si pjesë e një strategjie më të gjerë të Balfin për t’u përqendruar në investimet ndërkombëtare – veçanërisht në Austri dhe SHBA – dhe për të shkurtuar praninë në sektorët jo-bazë në Shqipëri.
Dy shitje të mëdha në një kohë kaq të shkurtër tregojnë qartë: Samir Mane po bën kthesë strategjike dhe po i lë “timonin” e disa sektorëve kosovarëve.
/Shqip.com