Konflikti Iran-Izrael, Vuçiç: Serbia e ka ndalur eksportin e armëve

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, deklaroi më 23 qershor se Serbia “nuk është duke eksportuar” më armë. I pyetur nga gazetarët nëse Serbia ka zgjedhur anë në konfliktin Izrael–Iran përmes eksportit të municionit drejt Izraelit, presidenti serb tha se shteti “ka pezulluar të gjitha eksportet” dhe se municionin po e dërgon vetëm në kazermat e ushtrisë serbe.
“Ne tani nuk eksportojmë asgjë. I kemi ndalur të gjitha dhe, nëse do të lejohet diçka, duhet të merren vendime të posaçme dhe të veçanta. Pastaj, do të shohim si do të veprojmë, në përputhje me interesat e Serbisë. Organet më të larta shtetërore do të informohen për këtë”, tha ai
Pas mbledhjes së kolegjiumit të zgjeruar të shefit të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë së Serbisë, Vuçiq tha se “është një gjë” fakti që Serbia, pas sulmit të Hamasit ndaj Izraelit më 7 tetor 2023, e kishte lejuar eksportin e municionit drejt asaj shteti.
“Por, situata sot është ndryshe. Ne tani i kemi ndalur në mënyrë të plotë të gjitha eksportet dhe i dërgojmë vetëm për ushtrinë tonë”, shtoi kreu i qeverisë serbe.
Duke iu përgjigjur kritikave për eksportin e armëve, Vuçiç tha se kujdeset për sigurinë e shtetit, por edhe për punëtorët në industrinë e mbrojtjes, ku prodhohet municioni që Serbia më herët e eksportonte jashtë vendit.
Izraeli nisi më 13 qershor një sulm ndaj Iranit, duke goditur disa lokacione, përfshirë objekte bërthamore dhe zona të banuara në Teheran, ku u vranë disa komandantë të lartë të Gardës Revolucionare Islamike të Iranit (IRGC), shkencëtarë bërthamorë dhe civilë.
Irani reagoi duke lëshuar dronë dhe raketa balistike drejt qendrave ushtarake dhe bazave ajrore në Izrael. SHBA u përfshinë në konflikt më 22 qershor. Presidenti Donald Trump njoftoi se bombarduesit amerikanë kishin goditur tri objekte bërthamore iraniane.
Sipas të dhënave nga Ministria e Shëndetësisë së Iranit, të paktën 430 persona janë vrarë në sulmet izraelite që nga fillimi i konfliktit./REL
/Shqip.com