Lajme

I akuzoi djalin se shoqëronte Sara Milën, Dash Sula i përgjigjet Çim Pekës: Im bir s’i ka lyer duart me gjakun e ndonjë shoqeje

Një media pranë ish-kryeministrit Sali Berisha sulmoi së fundmi deputetin demokrat Dashnor Sula. Sipas tyre, djali i tij, ka bërë fushatë për Sara Milan, e cila u zgjodh deputete e Partisë Socialiste në Qarkun e Elbasanit.

Në përgjigje, Dash Sula thotë se kjo është e pavërtetë, ndërsa ka thumbuar edhe Çim Pekën, drejtorin editorial të medias së Berishës.

“Një media jepte që djali im ka shoqëruar Sara Mila, që s’është e vërtetë absolutisht.

Përgjigja që i dhashë një personi ishte: Të paktën djali im nuk i ka lyer duart me gjakun e shoqes së vet deri më sot dhe uroj që sa të jetë gjallë të mos i lyej duart me gjakun e ndonjë shoqeje. Ndërsa te ju ka njerëz që i kanë duart me gjakun e shoqes dhe sot dalin e bëjnë politikë.

I dimë shumë gjëra edhe ne”, tha Sula për Euronews Albania.

Ai i referohet një aksidenti në të cilin u përfshi Çim Peka disa vite më parë, në të cilin gjeti vdekjen shoqëruesja e tij në makinë e cila ishte vajza e një miku familjeje.

/Shqip.com