Lajme

32 tentativa të dështuara për konstituimin e Kuvendit të Kosovës, Kurti: Bojkoti i votimit është shkelje e Kushtetutës

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka kritikuar ashpër deputetët që bojkotuan votimin gjatë vazhdimit të seancës për konstituimin e Kuvendit, duke e cilësuar këtë veprim si një sjellje politike të papërgjegjshme dhe shkelje të Kushtetutës.

Në një deklaratë për media, Kurti iu referua pikës 128 të aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese të datës 26 gusht 2014, sipas të cilës çdo deputet është i detyruar të votojë – pro, kundër ose të abstenojë – gjatë procesit të konstituimit të Kuvendit.

“Kjo është jo vetëm përgjegjësi e partisë fituese të zgjedhjeve, por e të gjithë deputetëve,” theksoi Kurti. Ai sqaroi se pas konstituimit, përgjegjësia e Kuvendit do të jetë formimi i qeverisë së re, ndërsa deri atëherë vendi do të qeveriset nga qeveria në detyrë.

Kryeministri u bëri thirrje të gjithë deputetëve që të marrin pjesë në votim, duke e konsideruar këtë një obligim kushtetues dhe rrugëdalje nga ngërçi politik. Ai sugjeroi përdorimin e votimit të fshehtë, sipas aktgjykimit të Kushtetueses.

“Ju bëj thirrje deputetëve që, në përputhje me aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese dhe me të drejtat e obligimet e tyre, të marrin pjesë në votim. Ne e respektojmë aktgjykimin – por për ta respektuar, duhet ta kemi së pari,” përfundoi Kurti, raporton RTKlive.

Ky apel vjen në një moment kur procesi i konstituimit të Kuvendit është në fokus dhe ka shkaktuar debate dhe tensione në skenën politike të Kosovës.

/Shqip.com