Tentoi të digjte fqinjin me benzinë, arrestohet 32-vjeçari në Prrenjas

Një ngjarje e rëndë është regjistruar në qytetin e Prrenjasit, ku një konflikt për motive të dobëta përfundoi me tentativë për vrasje. Një 32-vjeçar është arrestuar nga policia pasi dyshohet se ka tentuar të djegë fqinjin e tij, një shtetas 75-vjeçar, duke e spërkatur me benzinë dhe më pas i ka vënë flakën.
Sipas njoftimit të Policisë së Shtetit, 75-vjeçari S.O. është paraqitur në spitalin e Prrenjasit me djegie të rënda, dhe aktualisht ndodhet nën kujdesin e mjekëve. Menjëherë pas marrjes së njoftimit, shërbimet e Policisë ndërhynë dhe arrestuan autorin e dyshuar, G.O., 32 vjeç.
Ngjarja ka ndodhur në ambientet e jashtme të banesës së viktimës, ndërsa hetimet paraprake tregojnë se sherri mes dy fqinjëve ka degraduar në dhunë fizike dhe më pas në tentativën për ta djegur 75-vjeçarin.
Materialet hetimore i janë referuar Prokurorisë së Elbasanit, ndërsa ndaj autorit rëndon akuza për “vrasje me dashje e mbetur në tentativë”.
Policia po vijon hetimet për të zbardhur rrethanat e plota të ngjarjes.
/Shqip.com