Lajme

Fitorja në zgjedhje, Rama ironizon PD-në: Jetojnë në universin paralel të trenave bullgarë, zarfave me para dhe bandave…

Kryeministri Edi Rama ka mbajtur sot një takim me ministrat dhe deputetët socialistë, për të celebruar fitoren në zgjedhjet parlamentare.

Gjatë fjalës së tij, Rama tha se fitorja ishte rezultat i një pune të ndjekur sipas planit hap pas hapi dhe që ka nisur që prej fitores në zgjedhjet e mëparshme.

Ai nuk kurseu as ironinë për Partinë Demokratike që ka deklaruar se nuk do të njohë rezultatin e zgjedhjeve, duke thënë se ata kanë ndërtuar një “univers paralel”, ku besojnë se zgjedhjet u vodhën përmes parave, krimit dhe bandave.

“Sa më mirë ka qenë Partia Socialiste, aq më mirë ka qenë Shqipëria. Dhe sa më jo mirë ka qenë Partia, aq më jo mirë ka qenë Shqipëria. Të tjerët nuk duan ta pranojnë, ata mendojnë se zgjedhjet i fitojnë ata, dhe ne i vjedhim gjithnjë e më shumë. Sa më i madh bëhet hendeku i votave, aq më i madh bëhet hendeku i universit të tyre paralel.

Këto ditë, universi i tyre është mbushur me thasë, zarfa me lekë, trena bullgarë që xhirojnë vargmalet e Shqipërisë. Dhjetra deputetë e deputete të rinj e të reja këtu që kanë dalë nga shpellat e krimit, përmes terrorit elektoral… E vërteta është që ne nuk kemi asnjë zhgënjim këtu. Ne morëm thjesht frutet e një pune të gjatë, dërmuese, të programuar me një kalendar qysh pas fitores së zgjedhjeve të mëparshme”, tha ndër të tjera Rama.

/Shqip.com