“Gropa” elektorale e PD në Elbasan – Si ndikoi lënia e Dash Sulës dhe Zheni Gjergjit jashtë listave. Vendimet që ndihmuan PS-në

Zgjedhjet parlamentare të 11 majit sollën një tjetër goditje të rëndë për Partinë Demokratike, veçanërisht në qarkun e Elbasanit, ku kjo forcë politike pësoi një rënie të ndjeshme në numrin e mandateve, nga 6 në vitin 2021, në vetëm 4 këtë herë. Ndër faktorët që janë analizuar si ndikues në këtë rezultat është edhe vendimi për të lënë jashtë listave një nga figurat më të njohura dhe më të votuara të PD-së në këtë qark: deputetin Dashnor Sula. Rebelimi i këtij të fundit ndaj Sali Berishës e Flamur Nokës u gjet me vend dhe dinamika e ngjarjeve të mëpasme tregoi se kishte patur të drejtë.
Po ashtu, PD nuk u kursye në politikën e saj të përjashtimit të brendshëm kur la jashtë listave një tjetër figurë me reputacion në Elbasan, mjeken e njohur Zheni Gjergji. Beteja e saj politike në Parlament e media, denoncimet e saj për koncesionet skandaloze në Shëndetësi, denoncimet për tenderat abuzivë që shkonin dhe shkojnë për klientët e pushtetit të cilët vazhdojnë të zhvatin fondet publike, nuk u vlerësuan nga lidershipi i PD. Përkundrazi, duket se znj.Gjergji mori një “qortim” kur i treguan derën me gjasë si “dënim”, se me shërbimin publik që i bëri vendit, interesin e dikujt e cenoi. Dhe PD e ka treguar se nuk pyet për parime kur asaj i preken interesat që e lidhin me fijet e pushtetit.
I njohur për qëndrimet e tij kritike brenda PD-së, por edhe për profilin e një përfaqësuesi aktiv në terren dhe zë të qartë në Kuvend, Dashnor Sula nuk u përfshi në listën e mbyllur të kandidatëve për Elbasanin edhe pse në primare ishte më i votuari. Vendimi për ta lënë jashtë, për shumë demokratë në këtë qark u perceptua si i pakuptimtë, madje i qëllimshëm. Në një moment deciziv për fatin elektoral të partisë, përjashtimi i një emri me peshë si ai i Dashnor Sulës u pa si një sinjal i qartë i zgjedhjeve të brendshme që shkonin përtej interesit të PD-së.
Kandidatët e PD në Elbasan

Kandidatët e PS në Elbasan

Por po ashtu një tjetër emër i lënë jashtë në Qarkun e Elbasanit, Lefter Gështenja pati efektet e veta elektorale në Librazhd atje ku PD në 11 maj mor pak më shumë se 20% të votave. Pa harruar që z.Gështenja aktivizmin politik nuk e ka vetëm në Librazhd por edhe te dega 9 e PD në Tiranë. Pra me një “shtyrje” PD pësoi edhe gol, edhe karton të kuq! Amatorë funksionalë!
Nga 6 në 4 mandate – PS feston, PD nuk reflekton
Në zgjedhjet e vitit 2021, Partia Demokratike kishte arritur të sigurojë 6 mandate në Elbasan, ndërsa Partia Socialiste 8. Më 11 maj 2025, PS thelloi epërsinë duke marrë 10 mandate, ndërsa PD nuk arriti të mbante as edhe rezultatin e katër viteve më parë, duke rënë në 4 deputetë. Një humbje që jo vetëm ndëshkoi strukturën aktuale të partisë në qark, por edhe tregoi se elektorati i djathtë në Elbasan reagoi ndaj një liste të perceptuar si jo përfaqësuese.
Shumë analizë politike ka nxjerrë në pah se përjashtimi i Dashnor Sulës – një nga deputetët që kishte fituar mbështetje përtej linjave partiake – ndikoi direkt në moralin e votuesve dhe strukturës në terren. Me përjashtimin e tij, PD jo vetëm humbi një figurë me ndikim, por duket se dërgoi mesazhin se listat ishin ndërtuar për interesa të ngushta dhe jo për përfaqësim real.

Krahasimi me vota nga 2021 në 2025 e tregon më së miri atë që ka ndodhur me PD-në dhe koalicionin e saj me 25 parti fantazmë. Pra, bashkë me votën e diasporës PD ka siguruar 42 mijë e 500 vota nga rreth 58 mijë që kishte në 2021. Plot 15 mijë vota më pak në Qarkun e Elbasanit, pavarësisht konsumimit të PS në pushtet prej 12 vitesh!Dhe këta të fundit u rritën me rreth 13 mijë vota.

Kalkulime të gabuara që ndihmuan PS-në
Nëse dikush do të donte të projektonte një skenar që i jepte mandatin socialistëve “në tavolinë”, duket se ai u realizua pikërisht në Elbasan. Përjashtimi i figurave me ndikim lokal, si Dashnor Sula, Lefter Gështenja e Zheni Gjergji krijoi një boshllëk për opozitën, që PS e shfrytëzoi në maksimum. Rezultati? Një mazhorancë e thelluar dhe një opozitë e dobësuar në një nga qarqet më të rëndësishme në vend.
Në këtë kontekst, zgjedhjet e 11 majit nuk ishin vetëm një garë votash, por një test për reflektim brenda PD-së: a u ndërtuan listat për fitore apo për lojalitet? A u përzgjodhën përfaqësuesit për elektoratin apo për fatin e lidershipit pas 11 majit? Dinamika po na tregon se në fakt lidershipi i PD mendoi të shpërblejë besnikët e tij, ata të cilët sot as nuk e çojnë në mend t’i kujtojnë Sali Berishës ekzistencën e nenit “Basha” në statutin e PD. Neni “Basha” thotë se “Kryetari jep dorëheqjen pas humbjes dhe nuk i lejohet të kandidojë për kryeministër në zgjedhjet pasardhëse…”
Kjo që ndodhi me listat e PD mbetet një sinjal alarmi se politika e përjashtimeve të brendshme mund të kushtojë shumë shtrenjtë – jo vetëm në mandate, por edhe në besimin e elektoratit. Besim i cili do të dojë vite të tëra mundi e pune të rindërtohet. Prandaj dhe, demokratët në veçanti, e opozitën në tërësi i pret një e ardhme e zymtë.
/Shqip.com