Lajme

Mbyllet orari zyrtar i votimit, nis ‘beteja’ për votën e fundit

Është mbyllur orari zyrtar i votimit në të gjithë Shqipërinë për zgjedhjet parlamentare, të cilat do të caktojnë 140 deputetët e rinj dhe qeverinë që do të drejtojë vendin në 4 vitet e ardhshme.

Ashtu siç është vepruar edhe në zgjedhjet e mëparshme, votimi do të vijojë vetëm me personat që janë në radhë.

Mbi 3.7 milionë qytetarë shqiptarë kishin të drejtë vote këtë të diel, dhe sipas rezultateve në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve pjesëmarrja në votime deri në orën 18:00 i kaloi 41%.

Risi e këtyre zgjedhjeve ishte vota e diasporës.

Procesi zgjedhor u zhvillua në tërësi i qetë, por incidentet e vogla nuk munguan në shumë zona, ku pati përplasje mes komisionerëve, disa raste fotografimi të votës apo dhe vonesa në nisjen e votimit.

Incidenti më i rëndë mund të konsiderohet ai në KZAZ e Vorës ku u përfshi në një përplasje verbale sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Flamur Noka dhe dy shtetas, të cilët u proceduan penalisht nga autoritet.

Në këto zgjedhje parlamentare kryeministri Rama kërkon një mandat të katërt, teksa Sali Berisha synon rikthimin në pushtet pas 12 vitesh.

/Shqip.com