Lajme Botë

Trump urdhëron që flamujt amerikanë të ulen në gjysmështizë në “shenjë respekti” për Papa Françeskun

Presidenti amerikan Donald Trump urdhëroi që flamujt të ulen në gjysmë shtize si “shenjë respekti për kujtimin” e Papa Françeskut, i cili u nda nga jeta të hënën.

Urdhri zbatohet për “të gjitha ndërtesat dhe terrenet publike, në të gjitha postet ushtarake dhe stacionet detare, dhe në të gjitha anijet detare të Qeverisë Federale në Distriktin e Columbias dhe në të gjithë Shtetet e Bashkuara dhe Territoret dhe zotërimet e saj deri në perëndimin e diellit, në ditën e varrimit”, shkroi Trump në shpalljen zyrtare.

Ai gjithashtu përfshiu “ambasadat e Shteteve të Bashkuara, legatat, zyrat konsullore dhe objektet e tjera jashtë vendit, duke përfshirë të gjitha objektet ushtarake dhe anijet e stacionet detare.

Në oborrin jugor të Shtëpisë së Bardhë, ku po zhvillohej aktiviteti tradicional “Easter Egg Roll”, flamuri amerikan në majë të Shtëpisë së Bardhë ishte ulur në gjysmë shtize të hënën në mëngjes.

Sakaq, Presidenti amerikan, Donald Trump dhe Shtëpia e Bardhë, së bashku me ish-presidentin Joe Biden, një katolik i devotshëm, bënë homazhe për papa Françeskun, i cili vdiq në moshën 88-vjeçare sot në mëngjes.

“U prehsh në paqe papa Françesk! Zoti e bekoftë atë dhe të gjithë ata që e donin”, shkroi Donald Trump në platformën e tij Truth Social.

“Papa Françesku do të mbahet mend si një nga udhëheqësit më të rëndësishëm të kohës sonë”, tha ish-presidenti amerikan Joe Biden në X, duke vlerësuar “luftën e tij për paqen dhe mbrojtjen e planetit”, si dhe “promovimin e tij të barazisë dhe fundin e varfërisë dhe vuajtjes në të gjithë botën”.

“Ai ishte ndryshe nga ata që erdhën përpara tij (…). Ai ishte papa i popullit, një dritë besimi, shprese dhe dashurie”, shtoi Biden, një katolik i devotshëm, duke postuar një foto të tij dhe papa Françeskut.

“Ai preku miliona jetë përgjatë papës së tij si udhëheqës i Kishës Katolike. Kjo është një ditë solemne për katolikët në mbarë botën dhe ne lutemi për të gjithë ata që e duan papën dhe që besuan te ai”, tha zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë Karoline Leavitt.

/Shqip.com