Lajme

“Synojmë 1 milionë vota”, Rama ironizon opozitën nga Durrësi: Maksimumin e mundshëm të votave e morën në 2021-shin

Kryeministri Edi Rama, teksa ka qenë në prezantimin e kandidatëve për deputetë të Partisë Socialiste më 11 maj, u ndal tek rëndësia e anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian.

Rama u shpreh se unioni evropian nuk është thjesht çështje lirish e të drejtash të garantuara, por ka të bëjë në raportin e vendit me vetveten dhe të tjerët. Ai cilësoi se futja në Bashkimin Evropian siguron statusin e qytetarit evropian.

Sipas kreut të qeverisë, nëse Shqipëria futet në BE, një student i cili vendos të ndjekë studimet akademike në vendet e këtij unioni, nuk do të ndihet i huaj, por i barabartë si të gjithë të tjerët.

Kryesocialisti tha gjithashtu se shqiptarët kanë lirinë e lëvizjes, por jo lirinë e qëndrimit, e cila do të mund të arrihet vetëm me anëtarësimin tonë në BE, sipas tij.

Ai shtoi gjithashtu se sot PS është në momentin dhe kohën e duhur, njëlloj si PD në mars të vitit 1992, kur u votua masivisht për të mbyllur 50 vite të komunizmit.

“Në vitin 1992, jo të gjithë ishin me PD, por e votuan masivisht pasi donin të mbyllnin atë faqe. Por në mars ’92 shqiptarët llogarinë me historinë e bënë si duhet dhe e votuan masivisht. Sot ne kemi të gjithë të drejtën të kërkojmë një votë përtej mbështetësve natyralë dhe tradicionalë të PS. Ndaj ne duhet të synojmë jo 800 mijë vota, por 1 milionë, duke përfshirë dhe emigrantët”, tha Rama.

Ai nuk la pa ironizuar as kundërshtarët politikë, duke theksuar se “ata gjithmonë janë pas dhe na ndjekin me britma dhe gërhima”.

Sipas Ramës, opozita arriti maksimumin e saj të votave në vitin 2021 dhe, sipas tij, nuk do të mund ta arrijnë kurrë atë rezultat. Nga ana tjetër, ai theksoi se Partia Socialiste nuk e ka arritur ende maksimumin e saj.

“Nuk ia vlen as të diskutojmë për ata… Ata nuk janë përballë, janë pas nesh. Na gjurmojnë me britma dhe gërhima, dhe tani të ndalojmë, të kthehemi dhe t’u flasim atyre është pakuptim. Kam bindjen se ata arritën maksimumin e mundshëm në vitin 2021 dhe nuk do ta arrijnë kurrë atë rezultat nëse do të mbeten në atë kënetë. Ne ende nuk e kemi arritur maksimumin tonë dhe është atje, në fushë, për t’u arritur. Do të shkojmë përpara me më shumë forcë për ta rritur atë”, tha Rama në Durrës.

Një këshillë pati Rama për kandidatët e Partisë Socialiste të Durrësit, që të mund të mbledhin sa më shumë të rinj që të votojnë për këtë forcë politike, teksa i mëshon sërish rëndësisë së anëtarësimit në BE.

Ai u shpreh se PS është në vendin dhe kohën e duhur për negociatat me BE-në.

“Shqipëria do hyjë në BE si rezultat i votës më 11 maj për PS”, e përmbylli Rama fjalimin në Durrës.

/Shqip.com