Erdogan vizitoi Beogradin pas Shqipërisë: Do të thellojmë bashkëpunimin në industrinë e mbrojtjes

Presidenti turk Recep Tayyip Erdogan, tha të premten në Beograd se Turqia dhe Serbia do të punojnë së bashku për zhvillimin e industrive të tyre të mbrojtjes dhe se dronët turq do të jenë pjesë e bashkëpunimit dypalësh.
Ai i bëri këto komente gjatë një vizite në Beograd, gjatë së cilës tha se marrëdhëniet ndërmjet Turqisë dhe Serbisë janë në kohërat e tyre të arta. Presidenti Erdogan tha se me Presidentin serb Aleksandar Vuçiç kanë shkëmbyer pikëpamje për çështjet globale, por edhe për situatën në Lindjen e Mesme dhe në rajon.
“Ne nënvizuam edhe një herë rëndësinë e paqes dhe qëndrueshmërisë në Ballkan. Në këtë kuadër është e rëndësishme t’u qasemi me mendje të hapur tensioneve të fundit ndërmjet Serbisë dhe Kosovës. Edhe një herë, konfirmuam vendosmërinë tonë për të mbrojtur qëndrueshmërinë në Bosnje dhe Hercegovinë, sepse Bosnja është politikisht shumë e cenueshme dhe kjo duhet të ndryshojë sa më parë që të jetë e mundur. Mendoj se Serbia do të luajë një rol konstruktiv për këtë”, tha Presidenti Erdogan.
/Shqip.com