Lajme

Kush janë tre ministrat e rinj të qeverisë “Rama”

Kryeministri shqiptar, Edi Rama, ka vendosur për disa vendime në Qeveri pas mbledhjes së Kongresit të Partisë Socialiste, ku një sërë dikasteresh do të kenë drejtues të rinj në vitin e mbetur të qeverisjes, “Rama 3“.

Surpriza më e madhe është e ikjes së Taulant Ballës nga Ministria e Brendshme, ku ai do të marrë detyrën e ministrit të Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin.

Vendin e tij të cilin Balla e lë vetëm pas një viti në detyrë e merr Ervin Hoxha, i cili do të jetë ministri i ri i Brendshëm.

Balla ndërkaq zë vendin e Elisa Spiropalit në krye të Ministrisë së Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin.

Ervin Mete nga ana tjetër, nuk do të jetë më ministër i Financave, pasi vendin e tij do ta zërë Petrit Malaj.

Po ashtu, ndryshime do të ketë edhe në Ministrinë e Brendshme, ku Niko Peleshi lirohet nga detyra, pasi do të marrë drejtimin e Grupit Parlamentar socialist.

Ai zë vendin e Bledar Çuçit, i cili do të jetë nënkryetar i Parlamentit, mbrojtja ndërkohë i kalon, Pirro Vengut.

Kujtojmë se më 26 korrik, Lindita Nikolla njoftoi se nuk do të jetë më në krye të Kuvendit.

Por kush janë ministrat e rinj të qeverisë Rama?

Ervin Hoxha – Ministër i Brendshëm
Taulant Balla u largua nga ministër i Brendshëm për t’i lënë vendin Ervin Hoxhajt. Ky i fundit ka mbajtur detyrën e drejtorit të IKMT.

Për më shumë se 20 vite ka shërbyer në funksione të ndryshme nga niveli ekzekutues deri në nivelet më të larta te drejtimit në institucione qëndrore dhe ligjzbatuese të shtetit shqiptar si:

Ministria e Mbrojtjes, Ministria e Brendshme, Policia e Shtetit, Ministria e Financave, Ministria e Drejtësisë.

Ka kryer me sukses detyra të larta në nivelin drejtues si: Drejtor i Marrëdhënieve Ndërkombëtare, Shef i Njësisë Kombëtare Europol, Shef i Zyrës Qëndrore Kombëtare Interpol, Drejtor i Policisë Rrugore, Drejtor i Drejtorisë së Mbrojtjes së Dëshmitarëve dhe mBashkëpunëtorëve të Drejtësisë, Drejtor i Hetimit Tatimor dhe Pastrimit të Parave, Zv. Drejtor i Përgjithshëm i Institutit të Sigurimeve Shoqërore, si edhe Drejtor Kabineti dhe Këshilltar i disa funksionarëve të lartë të shtetit shqiptar, Drejtor i Përgjithshëm i Shërbimit të Provës me VKM nr. 57 dhe së fundmi drejtues i IKMT.

Pirro Vengu – Ministër i Mbrojtjes
Drejtori aktual i Autoritetit Portual Durrës, i cili më herët ka mbajtur postin e drejtorit të Antikorrupsionit në Kryeministri. Pirro Vengu do të jetë ministër i Mbrojtjes.

Petrit Malaj – Ministër i Financave
Petrit Malaj është propozuar nga kryeministri Edi Rama për të qenë Ministri i ri i Financave, duke zëvendësuar në këtë post Ervin Meten. Petrit Malaj është aktualisht drejtori ekzekutiv i Agjencisë së Burimeve Natyrore (AKBN). Petrit Malaj është diplomuar në Fakultetin Ekonomik të Universitetit të Tiranës, ka vijuar studimet për Master në “Business Administration” në Universitetin Wisconsin- La Crosse në SHBA , është kualifikuar për “Banking and Finance” në Universitetin Georgetoën, SHBA dhe më pas ka ndjekur një program kualifikimi për Drejtimin e Tregut të Kapitaleve, të Ministrisë Federale për Bashkëpunim dhe Zhvillim të Gjermanisë. Ai ka një përvojë të pasur pune në sistemin bankar në Shqipëri dhe më pas është angazhuar si Drejtor Ekzekutiv në kompaninë “BDO Albania”, pjesë e BDO International, grupi i pestë më i madh në botë në fushën e Konsulencës Financiare, Auditit dhe Taksave.

Ndryshimet në Qeveri

Ervin Hoxha emërohet ministër i Brendshëm (Largohet Taulant Balla)

Petrit Malaj emërohet ministër i Financave (Largohet Ervin Mete)

Pirro Vengu emërohet ministër i Mbrojtjes (Largohet Niko Peleshi)

Taulant Balla emërohet ministër i Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin (Largohet Elisa Spiropali)

/Shqip.com