Joe Biden tërhiqet nga gara për president të SHBA-ve

Presidenti i Shteteve të Bashkuara Joe Biden u tërhoq të dielën nga gara presidenciale.
Biden ka thënë se beson që tërheqja nga gara është në interesin më të mirë për Partinë Demokratike dhe SHBA-në, në mënyrë që të fokusohet tërësisht në kryerjen e mandatit që ka aktualisht.
“Ishte nderi më i madh i jetës sime që të shërbej si presidenti juaj. Dhe megjithëse ishte synimi im që të kërkoja rizgjedhjen, besoj se është në interesin më të mirë të partisë sime dhe të vendit që të tërhiqem dhe të përqendrohem në përmbushjen e detyrave të mia si President për pjesën e mbetur të mandatit”, shkruan zoti Biden në një letër të postuar në llogarinë e tij në rrjetin social X.
Mandati i Presidentit Biden përfundon më 20 janar 2025.
Pak minuta më pas ai shprehu mbështetjen për nënpresidenten Kamala Harris si kandidate të partisë për postin.
“Vendimi im i parë si kandidat i partisë në vitin 2020 ishte zgjedhja e Kamala Harrisit si nënpresidente. Dhe ka qenë vendimi më i mirë që kam marrë. Sot dua të ofroj mbështetjen dhe përkrahjen time të plotë që Kamala të jetë e emëruara e partisë sonë këtë vit. Demokratë – është koha të mblidhemi dhe të mundim Trump-in. Le ta bëjmë një gjë të tillë”, u shpreh ai.
Deri të shtunën Presidenti Biden kishte këmbëngulur se do të vazhdonte fushatën, megjithëse ishte shtuar numri i ligjvënësve dhe senatorëve demokratë që kërkonin tërheqjen e tij.
Rreth 36 të zgjedhur demokratë kishin kërkuar që presidenti të largohej nga gara pas paraqitjes së dobët në debatin presidencial me ish-presidentin Donald Trump.
/Shqip.com