Mediat zvicerane raportojnë për krisje të raporteve, reagon trajneri i Zvicrës

Xherdan Shaqiri ka shokuar të gjithë ditën e djeshme, kur lajmëroi se është larguar nga Kombëtarja e Zvicrës.
Shaqiri zhvilloi vetëm dy ndeshje në Euro 2024 duke qëndruar në bankën rezervë, megjithatë në ato dy ndeshje ai tregoi klasin e tij duke shënuar një gol në fazën e grupeve dhe duke pasur impakt të madh në sfidën ndaj Anglisë në çerekfinale.
Mosinkuadrimi i tij, ka bërë që mediat zvicerane të aludojnë për një prishje të marrëdhënieve mes tij dhe trajnerit Murat Yakin, i cili u konfirmua në krye të Kombëtares ditën e djeshme.
Dyshimet u shtuan pasi në të njëjtën ditë që Shaqiri njoftoi largimin nga Zvicra, Yakin doli në konferencë për shtyp për të folur rreth kontratës së tij e ku nuk munguan pyetjet për Shaqirin.
“Ne e respektojmë vendimin e tij. Na vjen keq që i thamë lamtumirë një lojtari kaq të shkëlqyer, një rekordmen. Një falënderim i madh nga unë për të”, tha Murat Yakin.
Ndërkohë drejtori i Kombëtares zvicerane, Pierluigi Tami ka thënë se do t’i organizojnë një lamtumirë të madhe yllit nga Kosova.
“Do të organizojmë patjetër diçka. Shaqiri ishte një nga lojtarët më të mëdhenj zviceranë, një nga më të njohurit. 125 paraqitje, shumë gola, shtatë turne, do të gjejmë një mënyrë që tifozët të kujtojnë Shaqirin dhe t’i thonë faleminderit”, tha Tami.
/Shqip.com