13 shkurti shënon Ditën Botërore të Radios

13 shkurti shënon Ditën Botërore të Radios. Por, ky mjet informimi, pavarësisht zhvillimit të teknologjisë, arrin të zë vend të veçantë për informim në botë. Madje, nostalgji dhe e preferuar, mbetet edhe tek kosovarët.
Ka afër 25 vjet që shumicën e kohës ndodhet në veturë.
E gjatë punës si taksist në Prishtinë, Ekrem Morina, ka një mik të pandashëm.
Ky thotë se është radio ajo që e shoqëron gjatë gjithë ditës së punës.
“Radion më së shumti e dëgjojmë, si në udhëtim, si tu prit pasagjerë…radion e dëgjoj prej që punoj taksi, që 24 vjet. Edhe pse u mendua që ka më ra radio, por nuk ka ra, veç ka hypur. E dëgjon në kërr, sepse televizorin s’munesh me marrë në kerr”, tha taksisti Ekrem Morina.
E radio si mjet kryesor i informimit, ka histori të veçantë tek shqiptarët.
Efekt – Ju flet Kosova e Lirë.
Zëri i Nusret Pllanës gjatë kohës së luftës, sillte informacione në kohë reale për atë se çfarë po ndodhte në Kosovë.
E gjitha kjo u bë përmes valëve të radios “Kosova e Lirë”.
“Ndikimi i radios gjatë kohës së luftës ka qenë aq i madh, saqë edhe historik. Pse them historik? Sepse aq shumë e ka ngrit moralin ushtarak dhe luftarak të djemve dhe vajzave tona më të mira në vijën e frontit, por edhe të popullit tonë të vuajtur liridashës”, u shpre ish-moderatori i Radios Kosova e Lirë, Nusret Pllana.
Ndërkohë, profesori në departamentin e gazetarisë, Alban Zeneli, thotë ndikimi i rrjeteve sociale, ka zbehur atë të radios.
Megjithatë, sipas tij, ka një mënyrë që radio të mbetet në treg.
“Radio për të mbet në treg, duhet me u transformu. E kemi parë edhe në Kosovë që kanë filluar disa elemente të transformimit. Transformimi duhet të shkojë në dy drejtime. I pari duhet me u lidh me përmbajtjen, pra përmbajtja duhet me qenë më e përshtatshme për njerëzit dhe e dyta ka të bëj më mënyrën e përdorimit”, deklaroi profesori universitar, Alban Zeneli, raporton teve1.
Ndryshe, 78 vjet më parë, Radio e Kombeve të Bashkuara transmetoi edhe programin e parë.
Kjo bëri që 13 shkurti të shënohet në histori si Dita Botërore e Radios.
/Shqip.com