Lajme

Ziadin Sela akuzon Taravarin për pabesi: Jo koalicion me VMRO! Vendimet i marrin strukturat e ASH, jo një individ i vetëm

Kryetari i Kuvendit Qendror të Aleancës për Shqiptarët, Ziadin Sela tha se gjatë ditës së djeshme ka kërkuar nga kryetari i partisë Arben Taravari që të thërrasë Kryesinë Qendrore, në mënyrë që të mblidhet më pas Kuvendi Qendror.

Përplasjet në ASH vijojnë pas deklaratës së Taravarit se do të shkojë në zgjedhjet e 8 majit në koalicion me partitë opozitare, përfshirë edhe VMRO-DPMNE.

Sela tha se Taravari bëri pabesi pasi doli në Facebook me deklaratë tjetër, pa mbledhur strukturat e partisë.

“Komunikimi im i fundit me mesazhe ka qenë dje, i kam kërkuar dhe i kam thënë thirre Kryesinë Qendrore në mënyrë që të marrim vendimin që të shkojmë në Kuvend Qendror pas një jave, më është përgjigjur dhe më ka thënë se po do e thërras këto ditë, dhe me pabesinë më të madhe, siç di ai vetë, fatkeqësisht, dhe për zhgënjimin më të madh timin, na u paraqit me status në Facebook. Kryetar rrjetesh sociale nuk i duhet ASH-së”, tha mes tjerash Sela.

E shtuna do të tregojë se ku janë anëtarët e Kuvendit Qendror të ASH-së, thotë Ziadin Sela, i cili pretendon se nënshkrimet që ka mbledhur kryetari i partisë, Arben Taravari nga kuvendarët, janë të falsifikuara.

“Unë jam këtu për t’u garantuar atyre që të jenë vetvetja, të jenë Aleanca për Shqiptarët, dhe Aleanca për Shqiptarët, e vërtetë, nuk e jep fatin e kësaj partie dhe të popullit, me një nënshkrim të hedhur në letër që janë fallco, dhe nuk besoj që është e vërtetë. Është thjeshtë propagandë, luftë speciale që bëhet përmes rrjeteve sociale”, tha mes tjerash Sela.

Deklaratat Ziadin Sela i bëri nga selia e Aleancës për Shqiptarët në Tetovë këtë të diel.

Përpara drejtuesve të ASH, Sela tha se nuk do të lejohet realizimi i paralajmërimeve të Hristijan Mickoski, kryetar i VMRO-DPMNE, parti politike kjo opozitare e konfirmuar me ideologji antishqiptare, i cili kishte paralajmëruar kohë më parë ndarjen e ASH-së në prag të zgjedhjeve të 8 majit.

Sela tha se partia është e bashkuar, ndërsa vendimin e Taravarit që të shkohet në zgjedhje me opozitën shqiptare LEN, e quajti vendim të një individi.

“ASH nuk do të lejojë të realizohen paralajmërimet e Mickoskit të thëna para disa javësh publikisht në intervistat e tij ku garantonte që vetëm ajo pjesë e ASH-së që do të ngelet do të jetë jashtë planeve të tij dhe ne e kemi për nder këtë gjë, se nuk është një pjesë, por është e gjithë ASH që është jashtë planeve të tij, ndërsa individët janë çështje tjetër se si vendosin. ASH nuk është e copëtuar është e bashkuar dhe do të dijë që të vendosë për fatin e saj”, u shpreh Sela.

Çfarë deklaroi Arben Taravari në Facebook:

Pasi bëra publik qëndrimin tim politik ku tregova se duhet sjellim Ndryshimin E Madh bashkë me opozitën shqiptare jam bërë dëshmitar i gjallë i mrekullisë së një populli!

E dija se shumë veta do ishin dakort me deklaratën time pasi unë e mora këtë vendim duke ju pasur prioritet ju dhe nevojën tuaj për Ndryshim…por prej dje dhe deri tani që shkruaj prej jush kam marrë qindra-mijëra mesazhe urimi, falenderimi, frymëzimi dhe motivimi sa reagimi juaj ka kaluar çdo pritshmëri të mundshme!

Nga ato qindra-mijëra mesazhet tuaja mbështetëse jam i Lumtur t’ju them se Ndryshimi I Madh ka filluar dhe nuk ka Asgjë që e Ndalon Forcën Tuaj!

Nga miliona zërat tuaj prej dje është ndezur Fryma e Shpresës, Fryma e Besimit, Fryma e Ndryshimit!

Martin Luther King Jr do të thoshte se në malin e dëshpërimit…ka një gur shprese…

Unë prej dje që kam parë si kurrë në jetën time politike aq shumë njerëz të duan Ndryshimin, mund të them me siguri seShqiptarët U Bënë Mal Shprese!
Me respekt e nderim për të gjithë!
Arben Taravari!

Lexo edhe:
Rritet presioni ndaj Taravarit/ Krenar Lloga: Aleanca për Shqiptarët të dalë e vetme në zgjedhje

/Shqip.com