Lajme

PD e Rithemelimit “tradhton” Berishën në arrest dhe fton Bashën: Të bashkojmë opozitën dhe demokratët!

Partia Demokratike e Rithemelimit duket se ka ndryshuar mendim për Lulzim Bashën. Vija e kuqe e vendosur nga Sali Berisha duket se nuk ekziston më. Lulzim Basha dhe mbështetësit e tij ftohen nga protagonistët e Rithemelimit që të bashkohen dhe të bashkëpunojnë për forcimin e opozitës.

Nënkryetari i PD të Rithemelimit, Luçiano Boçi deklaroi gjatë një konference për shtyp nga selia blu se po punohet për një bashkëpunim të mundshëm mes të gjitha pjesëve të ndara të PD, duke mospërjashtuar as Lulzim Bashën.

“Po punohet për një proces bashkimi jo vetëm brenda PD, por edhe në pjesën e partive të opozitës, që janë të gatshme të bëhen pjesë e këtij fronti dhe të aksioni opozitar, jo thjeshtë zgjedhor, por edhe aksionit që pararend situatën zgjedhore. Bisedimet dhe procesi vazhdon. Aktet e bashkimit do të zbardhen dhe do të bëhen të ditura në ditët në vijim. Ky bashkim është konkret, fillimisht brenda nesh dhe më pas edhe për të ftuar të gjitha partitë opozitare me të cilët përfaqësuesit e PD-së janë bisedime intensive”, u shpreh numri 2 i Rithemelimit.

Deklarata e Luçiano Boçit u pasua nga një tjetër qëndrim në funksion të bashkimit të pakicës, nga kryetari i grupit parlamentar të PD, Gazment Bardhi. Ky i fundit kishte një ftesë të drejtpërdrejtë për Lulzim Bashën duke i kërkuar atij që t’i bashkohet aksionit opozitar, madje edhe protestave në Parlament.

“Zoti Basha dhe cilido prej kolegëve nëse e çmojnë veten në opozitë, kanë detyrimin të jenë së bashku me ne kur ne bëjmë betejë për komisione, reformën zgjedhore, apo kur bëjëm betejë që bashkarisht kemi propozuar në Kuvend. Mungesa e tyre kur ne jemi në aksion për të drejta kushtetuese të opozitës, apo propozimi I një ligji që do ta kishte zili edhe Edi Rama (dënimi i shpifjes) në vend që të jetë krah deputetëve të opozitës kur ne denoncojmë, propozon ligj që deputetët e opozitës të dënohen me dy vite. Uroj që në 2024 t’i përgjigjet atij mandati opozitar që ka marrë si përfaqësues i popullit opozitar”, theksoi Gazment Bardhi. 

Ftesat e grupimit të Rithemelimit dhe atij të Gazment Bardhit ishin surprizuese, por jo aq përgjigjja që erdhi nga Partia Demokratike zyrtare.

Sekretari për Marrëdhëniet me Publikun në PD, Edvin Kulluri duke iu drejtua Gazment Bardhit u shpreh se vija e kuqe për bashkimin e opozitës është largimi i Sali Berishës.

“Kushdo që bën thirrje për bashkim duhet të ketë parasysh pse jemi ndarë. Bardhi këtë pyetje duhet t’ja shtrojë vetes dhe jo PD-së. Është ai që ka shkelur rezolutën e 18 dhjetorit 2021 për largimin e Berishës nga PD dhe me shumë gjasa ka qenë njeriu që e ka shkruar rezolutën. Ka qenë zë shumë i ashpër ndaj Berishës, është marrë personalisht me familjen e tij, ‘babi i Zenit’, e ka tejkaluar masën e retorikës politike ndërsa unë e Basha nuk e kemi bërë kurrë një gjë të tillë. Bardhi duhet të largojë Berishën nga Rithemelimi, të ndalojë familjarët e tij të vihen në krye të atij grupimi dhe të krijojnë kushtet për të formuar një tryezë bisedimi”- deklaroi Kulluri në Report Tv.

Këtij mendimi i qëndroi edhe nënkryetari i PD, Roland Bejko.

Megjithatë, këtij debati mund t’i vendosë “kapak” vetë Lulzim Basha i cili ka paralajmëroi një dalje për mediat ditët orët në vijim, pikërisht i nxitur nga debati dhe ftesat e Rithemelimit dhe grupit “Bardhi”, për unifikimin e aksionit opozitar.

/Shqip.com