Katari i propozon marrëveshjen Izraelit: Armëpushim 2 javor, Hamasi liron 40-50 pengje

Ndërmjetësuesit e Katarit i thanë Izraelit se Hamasi ishte “pajtuar në parim” për të rifilluar bisedimet për lirimin e rreth 40 pengjeve të mbajtura në Gaza në këmbim të një ose dy javësh pauzë në luftime. Këtë e pretendon gazeta izraelite Walla, duke cituar tre zyrtarë izraelitë, të cituar nga Guardian. Marrëveshja do të përfshinte lirimin e rreth 40 pengjeve ende të mbajtura nga Hamasi në këmbim të disa javësh armëpushim. Në qendër të bisedimeve do të ishte një propozim i paraqitur disa javë më parë nga kreu i agjencisë izraelite të spiunazhit Mossad, David Barnea, gjatë një takimi me kreun e CIA-s amerikane, Bill Burns dhe kryeministrin e Katarit. Shejh Muhamed bin Abd. al-Rahman al-Thani. Propozimi kërkon lirimin e rreth 40 pengjeve, duke përfshirë gra, burra mbi moshën 60 vjeç dhe njerëz që kanë nevojë për kujdes urgjent mjekësor. Në këmbim, Izraeli do të ndalonte operacionet ushtarake në Gaza për një ose dy javë dhe do të lironte një numër palestinezësh që janë mbajtur në burgjet izraelite.