Rishfaqet Sinwar, mesazhi i liderit të Hamasit: Nuk do të dorëzohemi

Jahya Sinwar, lideri i Hamasit në Gaza, është rishfaqur. Në mesazhin e tij të parë që nga 7 tetori, njeriu që konsiderohet organizatori i sulmit ndaj Izraelit tha se grupi islamik nuk do të dorëzohet. “Është një betejë e ashpër, e dhunshme dhe e paprecedentë kundër Izraelit,” tha Sinwar, për të cilin Izraeli thotë se është fshehur në tunele nëntokësore në zonën Khan Younis, ku shumica e luftimeve tani janë përqendruar. “Brigadat Al Qassam (krahu i armatosur i Hamasit) do të shkatërrojnë ushtrinë pushtuese, janë në prag të shtypjes së saj dhe nuk do t’i nënshtrohen kushteve të okupimit“. Sinwar është numri dy i Hamasit, por vepron si udhëheqës de fakto, pasi kontrollon operacionet politike dhe ushtarake brenda Rripit të Gazës. Kreu i zyrës politike të lëvizjes, Ismail Haniyeh, jeton në mërgim në Katar. Udhëheqësi i Hamasit pohoi gjithashtu se Brigadat Al Qassam sulmuan rreth 5,000 ushtarë izraelitë, “një e treta e tyre të vrarë, një e treta e plagosur rëndë dhe e treta e fundit të paaftë përgjithmonë“, si dhe duke shkatërruar 750 automjete ushtarake. Shifra që janë larg nga numri zyrtar i të vdekurve të ushtrisë izraelite, e cila deri më tani ka konfirmuar 156 ushtarë të vdekur që nga fillimi i ofensivës, përveç 333 që vdiqën gjatë sulmit brutal terrorist.