Bombardimet izraelite në Gaza, në mesin e viktimave 12 gra dhe shtatë fëmijë

Të paktën 68 persona u vranë nga një sulm izraelit në Gazën qendrore, thanë zyrtarë shëndetësorë të dielën, ndërsa numri i ushtarëve izraelitë të vrarë në luftime gjatë fundjavës u rrit në 17.

Në mesin e viktimave përfshihen të paktën 12 gra dhe shtatë fëmijë, sipas shifrave të raportuara nga agjencia e lajmeve AP.

“Ne të gjithë ishim në shënjestër”, tha Ahmad Turkomani, i cili humbi disa anëtarë të familjes, përfshirë vajzën dhe nipin e tij. “Nuk ka asnjë vend të sigurt në Gazë”.

Më herët, Ministria e Shëndetësisë në Gazë tha se numri i të vdekurve kishte mbërritur në 70. Ushtria izraelite nuk e ka komentuar ende numrin e viktimave.

Lufta ka shkatërruar pjesë të Gazës, ka vrarë rreth 20.400 palestinezë dhe ka zhvendosur pothuajse të gjithë 2.3 milionë banorët e territorit.

Numri në rritje i vdekjeve mes trupave izraelite – 156 që nga fillimi i ofensivës tokësore – mund ta dëmtojë mbështetjen publike për luftën, e cila u ndez kur militantët e udhëhequr nga Hamas – grup i shpallur organizatë terroriste nga SHBA-ja dhe BE-ja – sulmuan Izraelin më 7 tetor, duke vrarë 1.200 njerëz dhe duke marrë peng 240 të tjerë.