Kurti krahason zgjedhjet lokale të 17 tetorit me ato të vitit 2017 dhe 2013

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka krahasuar zgjedhjet lokale të 17 tetorit 2021, me votimet lokale të viteve 2017 dhe 2013.
Kurti ka shkruar se në vitin 2013 ishin partia e katërt në zgjedhjet lokale, më pas në vitin 2017 kaluan në vendin e dytë.
“17 tetor 2021 – LVV e para”, ka shkruar Kurti në Facebook.
Kurti po ashtu ka përmendur edhe rezultatet e zgjedhjeve parlamentare nga viti 2019.
“Ju faleminderit qytetarë të dashur. Vazhdojmë në raundin e dytë në 12 komuna më 14 nëntor 2021”, ka shkruar Kurti. /Shqip.com
Çka tha Kurti sot?
Kryeministri i Kosovës, në cilësinë e kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, është shprehur i kënaqur me rezultatin preliminar të arritur në zgjedhjet lokale të 17 tetorit, ku LVV ka dalë në shumicën prej komunave në balotazh, njofton Shqip.com.
Duke paralajmëruar angazhim të kandidatëve për kryetar të komunave që tashmë janë në balotazh, ai tha se lista e Lëvizjes Vetëvendosje e këtyre zgjedhjeve nuk duhet të krahasohet me listën e LVV-së në zgjedhjet parlamentare të 14 shkurtit, duke thënë se listë sikur ajo e zgjedhjeve nacionale nuk do të ketë me dekada të tëra.
“Sa i përket zgjedhjet e 14 shkurtit nuk mendoj se duhet t’i krahasojmë pasi në krye të asaj liste ishin tre njerëz që sot drejtojnë tri institucione, pra nuk ka aso liste më kushedi edhe sa dekada”, ka thënë ai në një konferencë për media një ditë pas shpalljes së rezultateve të para.
Madje i pari i LVV-së pranoi edhe një fakt që bën diferencën midis zgjedhjeve lokale dhe atyre nacionale sa i përket imazhit të Lëvizjes.
“LVV si subjekti më i madh në vend e në Kuvend, e tash edhe në nivel lokal por në Republikë, ka folur më shumë për çështjet nacionale sesa lokale. Imazhi i VV-së është shumë më tepër i fortë dhe i qartë në çështje nacionale. I kemi edhe 4 javë tani që të flasim për çështjet lokale dhe ta sqarojmë veten tonë në këto çështje”, shtoi Kurti.
Pavarësisht rezultatit të arritur, Kurti thotë se kanë synuar e dëshiruar më shumë, megjithatë në komunat ku partia ka shkuar në balotazh, do të synojnë që të dalin të parët.
“Kandidatët e LVV-së do të jenë duke u angazhuar për secilën votë. Pavarësisht rezultatit tonë, ne kemi synuar e dëshiruar më shumë, megjithatë jemi të kënaqur me atë që kemi arritur”, thotë Kurti.
“Tash që jemi të parët edhe në nivel komunal edhe në nivel parlamentar, padyshim që na bën më të kënaqur sepse kurrë s’kemi qenë më të fortë e më të fuqishëm. Në balotazh do të synojmë që të jemi fitues”, theksoi ai duke shtuar se qysh sot ka caktuar takim me kandidatët e komunave që do të jenë në balotazh.
Kurti më tej ndau bindjen e tij se kandidati për kryetar të Prishtinës, Arben Vitia, do të prijë në balotazh me Përparim Ramën e LDK-së dhe do ta marrë detyrën si kryebashkiak më 15 nëntor.
Vitia është liruar nga detyra dhe është në garë për Prishtinën në balotazh ku prin qartazi dhe unë jo vetëm që shpresoj por besoj që është kryetar i Prishtinës dhe më 15 nëntor do ta marrë detyrën si kryebashkiak i Prishtinës.
Derisa për humbjen në komunën e Mitrovicës, në të cilën Vetëvendosje po qeveriste për katër vitet e fundit me Agim Bahtirin, tha se ka pritur rezultat tjetër, por se sipas tij, faji mund të jetë te përkrahja e pamjaftueshme për kandidatin në këto zgjedhje.
“Ne kemi bashkëpunuar aq sa kemi mundur dhe ditur, nuk ka munguar vullneti, në ndonjë komunë mbase kemi mundur të koordinoheshim më mirë”, tha ai.
“Kam pritur rezultat tjetër në Mitrovicë dhe për këtë duhet të diskutojmë, mbase nuk e kemi përkrahur mjaftueshëm z.Bahtirin”, shtoi Kurti. /Shqip.com