Numërimi i votave ka përfunduar, balotazhi pas katër javësh

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka bërë të ditur se procesi i numërimit të fletëvotimeve është përmbyllur të dielën në mbrëmje në të gjitha vendvotimet në Kosovë, ndërkaq raundi i dytë i zgjedhjeve për kryetar komunash do të bëhet katër javë pas raundit të parë, të zhvilluar më 17 tetor, njofton Shqip.com.
Kështu njoftoi zëdhënësi i këtij institucioni, Valmir Elezi, në një konferencë për media, ku tha se ekziston një problem te përditësimi i të dhënave në webfaqen e KQZ-së, por se janë duke punuar në atë drejtim që sa më shpejt të rregullohet.
“Procesi i numërimit të fletëvotimeve është përmbyllur të dielën në mbrëmje në të gjitha vendvotimet në Kosovë. Sipas ligjit raundi i dytë i zgjedhjeve për kryetarë komune mbahet ditën e diel katër javë pas raundit të parë”.
“Rezultatet preliminare për zgjedhje të kryetarëve të komunave dhe rezultatet e subjekteve politike për kuvendin komunal janë shfaqur në web faqe. Ka edhe raste që nuk është bërë përditësimi i të dhënave nga disa vendvotime, këto janë raste të rralla por po përpiqemi që të bëhet sa më shpejt përditësimi i tyre”, shtoi ai.
Derisa u pyet se kur pritet të fillojë numërimi i votave me kusht, Elezi nuk dha ndonjë datë të caktuar, teksa tregoi se ky proces do të fillojë brenda pak ditëve.
“Numërimi i votave me kusht, votat që kanë ardhur nga jashtë vendit si dhe votat nga personat me nevoja të veçanta do të filloj brenda disa ditëve pasi t’i përfundojmë procedurat lidhur me pranimin e materialit zgjedhor dhe verifikimit të këtyre votave”.

Ai shtoi se deri te shpallja dhe pastaj certifikimi i rezultateve përfundimtare “vijmë pas verifikimit dhe numërimit të votave me kusht, votave me postë, votave të personave nevoja të veçanta, pas përfundimit të të gjitha procedurave në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve, si dhe pas përfundimit të shqyrtimit dhe vendosjes lidhur me ankesat eventuale të subjekteve politike dhe kandidatëve të tyre”.
“S’mund ta japim një datë të saktë se sa ditë i duhen KQZ-së fillimisht për të shpallur rezultatet përfundimtare pastaj për të certifikuar këto rezultate”.
“KQZ do të punoj maksimalisht që të arrijmë afatet ligjore që të përgatitemi për raundin e dytë të zgjedhjeve”. /Shqip.com