Kulturë

Albana Beqiri / U ul n’cepin e natës që mbulue kish gjithçka

Albana Beqiri / Poete dhe tregimtare
Albana Beqiri / Poete dhe tregimtare

U UL N’CEPIN E NATËS QË MBULUE KISH GJITHÇKA

U ul n’cepin e natës që mbulue kish gjithçka,
dhe i veshi s’dyti teshat e vetmisë.

Zgat dorën n’boshllakun e terruem
që me sy po ia ban.

Heshti.

Askush para saj s’kish mujtë me hesht
ma mirë.

Mandej, i mblodhi krejt çka pas shpirtit pat
e me to e mbushi plot trastën e shkyeme
t’ mungesës:
n’ta futi andrrat që po e braktisnin or e çast
dhe dshirat që qorrue e kishin njanin sy.

Edhe dhimtat i futi që ja përkeqsonin plagt
e shpirtit t’coptuem,
edhe mallin që qante poshtë nji peme t’thame
pa asnji rrem,
edhe kujtimet që të tanën e kishin përmbyt
edhe trishtimin që qafës i varej si zog i mërdhitë
e i hutuem
edhe aromën e dashnisë që tash i therrte
dhe e përgjakte si nji gjemb.

Shpinës së krrusun i varej trastë e shkyeme
mbushun dhimtë e lot
shkapërderdhun udhsh t’panjoftuna t’pikllimit
ecte pa e ditë se për ku ishte nisë.

Nga mbrapa e ndiqte hija e dëshpërimit,
me të matej e nuk e kapte dot
tue u kap kujtimesh ndali skej udhës së panjoftun
e s’treti i veshi teshat e vetmisë.

Vazhdoi udhën. Zemra e coptueme e ndiqte pas
tue iu dhanë e tana natës së zezë pis.

/Shqip.com