IKSHPK kërkon respektim të masave pas grumbullimit të njerëzve për të festuar rezultatet e zgjedhjeve

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës ka bërë apel nga qytetarët për respektim të masave kundër përhapjes së Coronavirusit, përcjell Shqip.com.

Përmes një postimi në Facebook, IKSHPK këtë apel e ka bërë pas grumbullimeve të njerëzve në disa komuna ku janë shpallur rezultatet jo zyrtare nga disa parti politike.

Tutje, IKSHPK ka kërkuar nga institucionet përgjegjëse të mbikëqyrin me përpikmëri dhe të ndërmarrin veprimet e nevojshme për parandalimin dhe luftimin e pandemisë.

“Situata epidemiologjike me COVID-19 vazhdon me rënie të numrit të rasteve të reja pozitive dhe numrit të vdekjeve, por megjithate është akoma jostabile duke pasur parasysh se varianti Delta  është prezent dhe është varianti dominues në qarkullim në Kosovë.

IKSHPK apelon tek të gjithë qytetarët, për respektimin e të gjitha masave sipas vendimeve të Qeverisë së Republikës së Kosovës. Për shkak të rrezikshmërisë së lartë të përhapjes së COVID-19, bëjmë thirrje për kujdes dhe mosgrumbullim”, thuhet ndër tjerash në njoftim.